Qeveria Haradinaj i shpenzon paratë e shtetit në verë e raki

1,978 euro i ka kushtuar Zyrës së Kryeministrit një darkë e 11 tetorit 2017.

Në faturat e siguruara nga KALLXO.com, nuk specifikohen sa persona janë gostitur.

Në këtë darkë, përveç ushqimeve me mish, ishin shpenzuar 88 euro për raki rrushi, 57 euro për raki dardhe dhe 21 euro për raki kumbulle.

Po ashtu, në këtë darkë ishin pirë 11 shishe verë italiane  “Primitivo di Manduria”. Këto shishe verë zyrës së Haradinaj i kishin kushtuar 605 euro, 55 euro për copë.

Në mesin e pijeve alkoolike kishte pasur edhe një shishe verë “Cabernet”, e cila kishte kushtuar 25 euro.

Të ftuarit kishin ngrënë sarma, tavë Elbasani, ajvar, mantia, biftekë, mish viçi e pule, sallata.

Fatura është pranuar dhe nënshkruar nga shefi i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka marrë faturat e shpenzimeve të drekave dhe darkave zyrtare të Kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave.

Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht Zyra e Kryeministrit, dje ka reaguar ndaj publikimeve të faturave në media.

Zyra e Kryeministrit ka apeluar te mediat që i publikojnë këto fatura, të mos ja etiketojnë shpenzimet kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, por të gjithë stafit të Qeverisë.

“Është e papranueshme që të manipulohet opinioni publik duke tentuar që kategorizimit “Dreka” t’i epët konotacion individual si shpenzim nga Kryeministri Haradinaj, përderisa në këtë kategori siç e cekëm më lartë, përfshihen njëkohësisht edhe të gjitha shpenzimet zyrtare të stafit, shpenzimet protokollare, ceremoniale për mysafirë dhe delegacione nga vendi dhe të huaja në emër të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu në reagim thuhet që të merret parasysh “dinamika e lartë e aktiviteteve shtetërore, të Institucionit të Kryeministrit dhe Kryeministrit Haradinaj në veçanti”.

KALLXO.com raporton në vazhdimësi mbi shpenzimin e parasë publike nga zyrtarët e lartë publik.