Prokurorja milionere e Prishtinës

Prokurorja e Prokurorisë së Prishtinës, Merita Lumezi ka deklaruar pasuri në vlerë mbi një milion euro.

Prokurorja Lumezi ka thënë se posedon tre banesa në vlerë të përgjithshme 200 mijë euro, dy shtëpi me vlerë 500 mijë euro dhe ty truall toke që arrijnë vlerën 246 mijë euro.

Dy shtëpitë në vlerë 500 mijë euro ka deklaruar se janë në emër të përbashkët me bashkëshortin ndërsa dy banesat e tjera dhe trualli i tokës ka deklaruar se është në emër të bashkëshortit të saj.

Lumezi në Agjencinë Kundër Korrupsion ka paraqitur edhe dy vetura.

Njëra veturë në vlerë prej 12 mijë eurove ka thënë se është në emër të fëmijëve të saj ndërsa veturën tjetër në vlerë 21 mijë euro e ka deklaruar në emër të saj.

Prokurorja ka deklaruar se bashkëshorti i saj posedon edhe aksione në shoqëri komerciale të cilat kapin vlerën 15 mijë e 450 euro.

Prokurorja e Prishtinës si para të gatshme të mbajtura në bankë i ka deklaruar 774 mijë e 974 euro, prej tyre 82 mijë e 812 euro ka thënë se janë në emër të saj ndërsa pjesa tjetër në emër të bashkëshortit dhe të fëmijëve.

Përpos shumave të lartpërmendura, prokurorja ka deklaruar edhe paratë prej 205 mijë eurove të cilat ka thënë se bashkëshorti i saj i ka borxh ndaj personave fizik.

Ndërsa të hyrat vjetore të Merita Lumezit nga paga dhe të hyrat tjera të deklaruara në Agjencinë Kundër Korrupsion janë në vlerë prej 26 mijë e 485 eurove.

Të hyrat vjetore të bashkëshortit të saj ka deklaruar se prekin vlerën e 120 mijë euro, ndërsa të hyrat vjetore të fëmijëve të saj janë 13 mijë e 948 euro.