Politikani nga Gjakova pa asnjë cent në konto dhe pa shtëpi

Agon Batusha, asambleist i Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Gjakovës, në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ka deklaruar se nuk ka asnjë pronë të luajtshme apo të paluajtshme në emër të tijin.

Batusha gjithashtu ka deklaruar se asnjë cent nuk e ka si para të gatshme në ndonjë institucion financiar.

Ai ka deklaruar se prindi i tij ka një shtëpi prej 200 metra katror në vlerë prej 70 mijë euro, një banesë 58 metra katror në vlerë të 24 mijë eurove, një dyqan me sipërfaqe 30 metra katror e në vlerë të 15 mijë eurove dhe një tokë 7 mijë metra katror në vlerë të 24 mijë eurove.

Prindi i tij është pronar i një biznesi “D.P.T. Kosova – D” e që ka kapital 9 mijë euro.

Agon Batusha te të hyrat vjetore ka deklaruar se merr pagë si asambleist në komunën e Gjakovës, prej 2 mijë e 500 euro në vjet.

KALLXO.com në vazhdimsi  është duke publikuar  deklarimet e pasurisë për zyrtarët e lartë publikë dhe këshilltarët komunal.