Politikani i LDK-së me 3 mercedesa

Asamblisti i LDK-së në Viti, Ali Bajrami posedon në total një pasuri prej rreth gjysmë milioni, më saktësisht 494 mijë e 327 euro.

Bajrami në Agjencionin kundër Korrupsion ka deklaruar se si pasuri të paluajtshme ka 310 mijë euro e të luajtshme 129 mijë e 500 euro.

Si pasuri të paluajtshme e ka deklaruar një shtëpi 200 mijë euro, një banesë 60 mijë euro dhe një tokë që e ka vlerësuar 50 mijë euro.

Kurse si pasuri të luajtshme ai ka deklaruar se posedon 3 vetura mercedes të viteve të ndryshme. Një të vitit 2002 në vlerë 7 mijë e 500 euro, një të vitit 2014 6 mijë euro dhe një të vitit 2017 që e ka vlerësuar 16 mijë euro.

Përvec veturave ai ka deklaruar se posedon edhe dy barnatore që prekin shumën e 100 mijë eurove.

Megjithë këtë pasuri këshilltari komunal në Viti mban vetëm 300 euro në njërën bankë të Kosovës dhe ka 22 mijë euro kredi në dy banka.

Por megjithatë asamblisti Bajrami nuk i ka keq as të hyrat vjetore që prekin shumën e 32 mijë e 527 eurove.