Pasuria milionëshe e ministrit të Labinot Tahirit

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa ka deklaruar se ka në pronësi banesa, lokale, vetura dhe hise në disa biznese.

Në deklarimin e pasurisë tek Agjencia Kundër Korrupsionit, Mustafa e ka deklaruar një veturë Toyota në vlerë 10 mijë euro.

Ndërsa në pasurinë e paluajtshme, Mustafa ka deklaruar asete që arrijnë vlerë milionëshe.

Pasuria e paluajtshme e Mustafës arrin në vlerën 2 milionë e 390 mijë euro, ku përfshihen një shtëpi në fshat në vlerë 70 mijë euro, një lokal në vlerë 130 mijë euro banesë në vlerë 90 mijë euro, një objekt afarist në vlerë 260 mijë euro, një banesë e kontraktuar për ndërtim në vlerë 130 mijë euro, si dhe një tokë bujqësore në vlere 210 mijë euro.

Ministri me milionat e deklaruara në AKK, ka bërë të ditur se posedon edhe aksione në disa biznese.

Në kompaninë ‘SH.P.K, Kompakt’, Mustafa ka deklaruar se posedon 33% të aksioneve, kapitali i së cilës arrin në 250 mijë euro. Përveç këtyre aksioneve, Mustafa ka deklaruar se posedon aksione edhe në “N.T.P- K.H.L, në KOSPHARM” dhe në ndërmarrjen “KOSOIL”, kompani këto për të cilat Mustafa nuk e ka bërë të ditur kapitalin e tyre.
Mustafa ka deklaruar edhe 3 mijë e 110 euro para të gatshme në institucione financiare, para këto të cilat i ka deklaruar në emër të tij, bashkëshortes dhe fëmijëve të tij.

Mustafa ka deklaruar se ka kredi në institucione financiare në shumë prej 191 mijë euro, ku ka deklaruar se ka marr kredi në vlerë 160 mijë euro për investime në biznes, 24 mijë euro ka marrë kredi për shkollim dhe 7 mijë të tjera i ka huazuar nga një person.

Të hyrat vjetore të Mustafës në bazë të deklarimit të bërë në AKK, janë 3 mijë e 272 euro, nga të cilat 640 euro janë nga paga në QKMF në Ferizaj, 500 nga qiraja e lokalit në Ferizaj, 400 euro nga dividenta e firmës dhe 1 mijë e 732 euro nga paga si ministër i MPB-së.

Të hyrat vjetore nga bashkëshortja e ministrit të MBP-së janë 1 mijë e 30 euro, 730 prej të cilave jnë nga paga në SHSKU, dhe 250 nga dividenta e ordinancës “Shëndeti” në Prishtinë.

Mustafa ka deklaruar edhe 1 mijë euro tek të hyrat vjetore nga paga e fëmijëve të tij, si dhe 652 euro të tjera nga mëditjet në MPB.