Pasuria e resë së Sami Lushtakut që u punësua në Telekom

Reja e Sami Lushtakut nuk ka asnjë pronë të paluajtshme në emrin e saj. Ajo ka deklaruar se jeton bashkë me Mergim Lushtakun me qira në Prishtinë.

Shehide Qerimi- Lushtaku e cila është punësuar si Zyrtare e Lartë e Auditimit në Telekomin e Kosovës në muajin dhjetor të vitit 2018 ka deklaruar se ka para të gatshme prej 15 mijë e 500 euro në bankë. Përveç tyre, ajo ka deklaruar se i ka në pronësi private edhe 45 mijë e 500 euro të tjera, duke mos dhënë sqarime të tjera se ku i mban ato mjete.

Ajo ka deklaruar të hyra si pagë nga Ministria e Punëve të Brendshme në vlerë prej 7 mijë e 914 euro. Përkundër që punën në telekom, Qerimi-Lushtaku e ka nisur në 7 dhjetor 2018, ajo ka deklaruar të hyra prej 2 mijë e 198 euro. Pra, këto të hyra i ka për vetëm 3 javë punë në Telekom.

Të gjitha pasuritë e tjera, Qerimi-Lushtaku i ka deklaruar ato të bashkëshortit të saj që është deputet i Kuvendit të Kosovës. Ai ka në posedim një veturë të tipit Mercedesë, si dhe hise në disa biznese të tjera.