Pasuria e Gani Dreshaj disa herë me e madhe se buxheti i Istogut
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe ish kandidati për kryetar të Istogut Gani Dreshaj ka deklaruar se ai bashkë me familjen e tij posedojnë 9 biznese e 15 prona.
Pasuria e deputetit Dreshaj, mbi 85 milionë euro.
Ai ka deklaruar pasuri të paluajtshme me vlerë prej 41 milionë e 266 mijë euro, ndërsa kapitali i bizneseve të tij dhe të familjes së tij është vlerësuar nga Dreshaj 44 milionë e 400 mijë euro.
Në pronat e paluajtshme që Dreshaj i posedon, vlera më e madhe e tyre është nga pronat e privatizuara.
34 milionë e 893 mijë euro është vlera e pronave që Dreshaj i ka privatizuar brenda dy viteve, 2005 dhe 2006.
1 milion e 355 mijë euro kishte kushtuar privatizimi i tokës ndërtimore në 2005.
16 milionë e 575 mijë euro i ka kushtuar privatizimi i 12 mijë 259 ari tokë bujqësore, pyjore dhe ndërtimore në vitin 2006.
5 milionë e 840 mijë euro i kishte kushtuar privatizimi i 467 mijë e 297 metrave katror tokë bujqësore, pyjore dhe ndërtimore po në vitin 2006.
10 milionë e 33 mijë euro i kishte kushtuar privatizimi i 802 mijë e 633 metrave katror të tokës bujqësore dhe pyjore, të privatizuar poashtu në 2006.
Si dhe 1 milion e 90 mijë euro tjera i kishin kushtuar për privatizimin e 87 mijë metrave katror tokë bujqësore dhe pyjore në 2006.
Gani Dreshaj ka deklaruar se i ka dy borxhe ndaj personave fizik që kapin shifrën e 620 mijë euro.
Gjysmë milioni euro apo 500 mijë euro thotë se i’a ka marrë borxh një personi fizik për blerjen e 20% të aksioneve në “Getrinke-Vrella” shpk.
Ndërsa 120 mijë euro tjera thotë se i ka marrë borxh nga një person fizik për blerjen e hapësirave për banim në qytetin e Istogut.
Bashkëshortja e Gani Dreshajt është në kredi 443 mijë euro për 10 vite. Sipas Dreshajt kjo kredi ishte marrë për blerje të një banese.
Paga vjetore e Dreshajt si deputet kap shifrën e 20 mijë e 155 eurove ndërsa ai merr edhe 473 euro mëditje.
Ndërsa për bashkëshorten e tij, Dreshaj ka deklaruar se merr 1 milion e 50 mijë euro të ardhura në vit nga bizneset familjare.
Ndonëse ka pasuri multi-milionëshe, Dreshaj ka deklaruar se para të gatshme mban vetëm 1 mijë 466 euro.
Këtu mund ta gjeni deklarimin e pasurisë së deputetit Gani Dreshaj.