Selatin Ratkoceri, asamblist i Lipjanit

Pagat dhe pronat e Selatin Retkocerit

Asamblisti i Kuvendit Komunal në Lipjan Selatin Retkoceri, i cili ka marr këtë pozitë sa ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), ka deklaruar se para të gatshme në banka dhe tek persona fizik ka 10 mijë e 650 euro.

Retkoceri gjithashtu ka deklaruar se ka edhe borxhe.

Sipas deklarimit të tij në AKK, asamblisti ka borxh prej 16 mijë e 100 euro, që i ka huazuar bankave për blerje veture, hua për nevoja familjare, e të tjera.

Retkoceri si pasuri të paluajtshme me pronësi të përbashkët ka deklaruar shtëpi në vlerë 30 mijë euro, garazhë me vlerë 7 mijë euro tarasë me vlerë 5 mijë euro, 60 mijë euro vlerë të një banese si dhe një tokë në vlerë 66 mijë euro, të cilën e ka deklaruar në pronësi të tijën.

Në pasurinë e luajtshme, këshilltari komunal ka deklaruar dy vetura, njëra e tipit Golf 6 me vlerë 9 mijë euro në pronësi të fëmijëve dhe tjetra Golf 5 me vlerë 5 mijë euro në emër të deklaruesit.

Të hyrat vjetore të asamblistit në Komunën e Lipjanit, kapin vlerën 21 mijë e 696 euro, si dhe të hyrat vjetore të bashkëshortes së tij nga paga  në stacionin e autobusëve 8 mijë e 400 euro.

Në formularin e AKK-së, Retkoceri ndër të tjerash ka deklaruar se është larguar padrejtësisht nga puna në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina”.

“Bashkëshortja e ka një kredi prej 1300 euro tek BKT, afati i pagesës edhe 6 muaj. Personalisht pres të fitoj padinë ndaj Ujësjellësit KUR “Prishtina” Sh.A nga ku jam larguar padrejtësisht nga puna. Kompensimi financiar apo dëmshpërblimi financiar duhet të kalojë vlerën prej 50.000 euro”, thuhet në të dhënat e tjera të zyrtarit publik.

Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar se Selatin Retkoceri ishte emëruar kundërligjshëm anëtar në bordin e Kompanisë për Menaxhimin e Deponive.

Emërimi i tij bie ndesh me Ligjin për Ndërmarrje Publike, për shkak që Retkoceri në 36 muajt e fundit ka qenë pjesë e një partie politike, i zgjedhur publik e i emëruar politik.

Selatin Retkoceri në zgjedhjet e fundit komunale ka qenë kandidat për kryetar të Komunës së Lipjanit dhe bartës i listës për këshilltarë komunal të Lipjanit nga partia Lëvizja Vetëvendosje.

Ai ka qenë edhe kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet e fundit.

Në një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë, Retkoceri kishte thënë se ka që 1 vit e gjysmë që është larguar nga Lëvizja Vetëvendosje, por ai vazhdon të jetë i zgjedhur në Kuvendin Komunal.