Kadri Veseli e Ramush Haradinaj - Foto: REL/Reuters

Në drekën e Kadri Veselit me shokë: Bifteku kushtoi 518 euro

Një drekë e shtaruar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli për liderët e institucioneve tjera të vendit, buxhetit të Kosovës i kushtoi 1 mijë e 110 euro e 90 cent.

KALLXO.com ka siguruar faturën e drekës që mban datën 30 mars 2018 në të cilën përshkruhen ushqimet dhe pijet e konsumuara nga liderët e institucioneve të Kosovës.

Krerët e institucioneve të vendit  kanë konsumuar ushqime me prejardhje nga Italia. Dreka e shtaruar nga i pari i Kuvendit të Kosovës ishte dominuar me produkte të huaja, si me djathë italian “Formaggio”, verë e bardh italiane “Funghi Chardonay” e ujë po nga i njëjti shtet “Panna”.

Në restorant “Rron” në Veternik të Prishtinës, Kabineti i Kuvetit të Kosovës pagoi biftek viçi për 37 persona. Çmimi i biftekut i përshkruar në faturë është 14 euro ndërsa çmimi i përgjithshëm për këtë lloj mishi arrin shifrën e 518 eurove.

Shefat e institucioneve të vendit në këtë drekë morën edhe shtatë “Salmon” në vlerë prej 77 eurove, ndërsa për ta u servuan edhe 30 “Sallata Greke” në vlerë të përgjithshme prej 90 euro e që i i bie se çdo sallatë kushtonte nga 3 euro.

“File Mignon Biftek”, një ushqim i njohur i Francës ishte po ashtu pjesë e drekës për liderët e institucioneve. Çmimi për një ushqim të tillë ishte 12 euro e 50 cent e në total 75 euro.

“Mix Peshk” në faturë janë përshkruar tre me çmim prej 36 euro, ndërsa pati edhe tri supa peshku në vlerë prej 10 euro e gjysmë.

Ndonëse në restuaurant shërbehej edhe uji vendorë, udhëheqësit tanë morën shtatë ujë “Panna 0.75l”. vlera për një ujë italian ishte 3 euro. Në drekë ishin shërbyer edhe 25 “Ujë Rugove” në vlerë prej 75 euro.

Vera e njohur italiane “Funghi Chardonay” kushtoi pesë euro, ndërsa në drekë ishin pirë vetëm dy gota në vlerë të përgjithshme 10 euro.

“Formaggio mix”, djathi italian ishte në vlerë prej 12 eurove. Ndërsa “Sallata Rukolla” ishte ne çmim të përgjithshëm prej 31 eurove 50 cent.

E tërë dreka e përcoll për fund edhe me ëmbëlsira. “Mouse au Chocolate” u shërbyen pesë copë në vlerë prej 15 eurove ndërsa 19 “Mix Ëmbëlsirë” kushtuan 57 euro. Për kafe, gjatë kësaj dreke u harxhuan 25 euro.

Vlera e përgjithshme e faturës së kësaj dreke kapë vlerën e 1 mijë e 110 euro e 90 cent.

KALLXO.com raporton në vazhdimësi mbi shpenzimin e parasë publike nga zyrtarët e lartë publik.

Lexo edhe: Miqtë e Kadri Veselit hanë 580 euro mish qengji