Miqtë e Kadri Veselit hanë 580 euro mish qengji

Në prill të vitit të kaluar, në qytetin e Prizrenit, Kabineti i Kryetari të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kishte shtruar një drekë goxha të shtrenjtë për një delegacion nga shteti i Kuvajtit.

KALLXO.com ka siguruar faturën e shpenzimeve nga dreka e shtruar më 13 prill 2018.

Veseli, si nikoqir, mysafirët nga Kuvajti, një delegacion i Parlamentit nga ky vend, i kishte dërguar restarurant “Ambienti” në qytetin e Prizrenit.

Në këtë drekë, siç është përshkruar në faturë, kanë qenë të ftuar edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK).

Çmimi i përgjithshëm i drekës, sipas faturës, është 837 euro e 90 cent, ndërsa vetëm për mish qengji ishin paguar 580 euro.

Çmimi i mishit të qengjit për një person kishte kushtuar 20 euro, ndërsa ky lloj mishi ishte shtruar për 29 persona.

Mysafirët e ftuar kishin pirë 22 ujë 0.75 ml, ndërkaq një ujë kishte kushtuar 2 euro e në vlerë të totale, uji sipas faturës kushtonte 44 euro. Përveç ujit, ata kishin pirë edhe “coca-cola”, caj, lëngje të pemëve, makiato e espresso në vlerë prej 32 euro e 90 cent.

Mysafirët e Kuvajtit ishin shërbyer edhe me djathë “Sharri” i cili kishte kushtuar 18 euro, ndërsa 9 euro ishte edhe “brusketa me djathë”. Deserti po ashtu kishte kushtuar 46 euro për 23 persona.

Në faturë janë përshkruar edhe çmimet për sallatë “ambient”, salcë kosit, këpurdha të freskëta, spec në tavë e plaskavicë në një çmim total prej 99 eurove.

E gjithë fatura e një drake për delegacionin nga Kuvajti, e shtruar nga kryetari I Kuvendit, Kadri Veseli, buxhetit të vendit i kushtoi 837 euro e 90 cent.

KALLXO.com raporton në vazhdimësi mbi shpenzimin e parasë publike nga zyrtarët e lartë publik.

Ditë më parë, KALLXO.com po ashtu raportoi për “Ndeja e Kadri Veselit në klubin ‘Hamam Jazz’ kushtoi mbi 3 mijë e 900 euro”.