Mercedesi i Besim Beqajt vlenë 25 mijë euro

Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësis, Beism Beqaj, pronat e tij milionëshe këtë vit i ka deklaruar si të pavlera në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Në bazë të deklarimit të tij, Beqaj ka treguar se posedon një shtëpi dhe truall në vlerë 232 mijë euro.

Për prejardhjen e shtëpisë dhe tokës në vlerë 232 mijë euro, Beqaj ka deklaruar se janë nga huazimet, kursimet dhe kredia.

Beqaj ka deklaruar po ashtu se posedon tokë dhe mal në emër të bashkëshortes së tij, shtëpi familjare dhe truall në emër të përbashkët, si dhe objekte afariste, por nuk ka deklaruar vlerën e asnjërës prej tyre.

Në bazë të deklarimit që Beqaj kishte bërë vitin e kaluar në Agjencinë Kundër Korrupsion për pronat e tij, vlerën e të cilave nuk e ka bërë publike këtë vit në deklarimin e tij, për të njëjtat vitin e kaluar kishte deklaruar se vlejnë miliona euro.

Në pasurinë e tij të paluajtshme, ministri ka deklaruar se posedon një veturë të tipit ML në vlerë 25 mijë euro.

Përveç kësaj pasurie, Beqaj ka deklaruar në AKK se posedon edhe aksione në tri shoqëri komerciale, në gjimnazi Cambridge, aksione të deklaruara në emër të bashkëshortes, ndërsa aksionet në MCD sh.p.k dhe Peja Hill, i ka deklaruar në emër të prindërve të tij, por kapitalin e asnjërës prej këtyre kompanive, Beqaj  nuk e ka deklaruar.

Beqaj ka deklaruar se posedon gjithsej 169 mijë e 550 euro para të gatshme në bankë,  të cilat i ka deklaruar në emër të tij, bashkëshortes së tij dhe fëmijëve.

Beqaj ka deklaruar edhe për një kredi në vlerë prej 13 mijë e 100 euro, për të cilën ka deklaruar se e ka marrë për renovim.

Përveç kredisë, Beqaj ka deklaruar se ka edhe një huazim  në vlerë prej 80 mijë euro  ndaj  “Peja Hill” biznes ky për të cilin ka deklaruar se është në pronësi të prindit të tij.

Për këtë huazim ,Beqaj ka deklaruar se e ka bërë nga kursimet në këtë kompani.

Tek të hyrat vjetore, ministri Beqaj ka deklaruar gjithsej 40 mijë euro të hyra vjetore, 20 mijë prej të cilave janë nga paga të cilën e merr nga Qeveria e Kosovës, 8 mijë nga Universiteti i Prishtinës, ndërsa 12 mijë të tjera nga gjimnazi Cambridge.