Besim Ilazi, kryetar i komunës së Kaçanikut/ Foto: Atdhe Mulla

Kryetari i Komunës me 50 mijë euro në konto

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), ka deklaruar se ka në pronësi një shtëpi me oborr 5 ari, në vlerë prej 180 mijë euro, si dhe një shtëpi tjetër në vlerë 80 mijë euro dhe tokë me 50 mijë euro vlerë si pronësi të përbashkët.

Ilazi ka deklaruar edhe 2 vetura, njëra e tipit “Pasat” me vlerë prej 15 mijë euro, në pronësi të deklaruesit si dhe vetura tjetër me pronësi të përbashkët e cila ka vlerën 4 mijë euro.

Përveç tjerash, kryetari i Komunës së Kaçanikut posedon edhe 51 mijë e 500 euro të ruajtura në banka vendore.

Të hyrat vjetore të Ilazit si kryetar komune, kapin vlerën 14 mijë e 923 euro e 56 cent, si dhe nga ordinanca stomatologjike private ku ai është pronar, gjatë një viti ka të hyrat prej 8 mijë eurosh.

Të hyra vjetore, Ilazi i ka deklaruar edhe 6 mijë e 240 euro të prindit të tij –pension i familjes së dëshmorit, si dhe pagën vjetore të bashkëshortes së tij në vlerë prej 4 mijë e 874.28 euro.