Rexhep Hoti riorienton biznesin investon në bujqësi

Nënkryetari i PDK-së i cili mban edhe postin e Koordinator për Kulturë, Arsim dhe Sport Rexhep Hoti gjatë vitit 2018 dhe 2019 ka investuar kogja shumë në vegla bujqësore.

Ai në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar se vitin 2018 ka blerë vegla bujqësore në vlerë prej 7,900 euro. Kurse në vitin 2019, Hoti  ka investuar edhe 5,890 euro në vegla bujqësore. Hoti nuk ka deklaruar se prej nga i ka siguruar mjetet për blerjen e veglave, pasi tek rubrika e prejardhjes së pasurisë Hoti ka shkruar “e blerë”.

Tek pasuria e paluajtshme, Hoti ka deklaruar pasuri në vlerë 270 mijë euro, ku ka përfshirë dy shtëpi, njërën në vlerë 120 mijë euro ndërsa tjera në vlerë 30 mijë euro, si dhe një tokë të trashëguar vlera e së cilën arrin 120 mijë euro.

Hoti ka deklaruar se posedon edhe pasuri të luajtshme, vlera e së cilës arrin 19 mijë e 790 euro.

Tek pasuria e tij e luajtshme, Hoti ka deklaruar se posedon dy vetura përveç vegla bujqësore.

Njëra veturë e llojit “Xhip Toureg”,  e cila është deklaruar në emër të bashkëshortes së Hotit, kap vlerën 4 mijë euro, ndërsa veturën tjetër  “Audi A3”, e cila është deklaruar në emër të fëmijëve, Hoti e ka vlerësuar me 2 mijë euro.

Tek pasuria e tij e luajtshme, Hoti ka deklaruar edhe vegla bujqësore në vlerë 13 mijë e 790 euro.

Hoti ka deklaruar edhe një kredi në vlerë 22 mijë e 909 euro, në kohëzgjatje deri në vitin 2025.

Ndërsa, tek të hyrat vjetore, Hoti ka deklaruar pagën e tij vjetore të cilën e merr nga Qeveria e Kosovës, në vlerë 15 mijë e 246 euro.