Komunat që shtruan iftare me para të buxhetit

Disa prej Komunave të Kosovës kanë shtruar iftare gjatë kohës së muajit të Ramazanit me para të buxhetit të komunave.

KALLXO.com ka analizuar faturat e komunave, të cilat u janë përgjigjur pozitivisht kërkesës për qasje në shpenzimet për dreka dhe darka, për të parë se sa prej tyre kanë shtruar iftare për grupe të ndryshme, gjatë muajit të Ramazanit.

Në shumë prej faturave nuk është i arsyetuar qëllimi i drekës dhe nuk përmendet arsyeja e shpenzimit për drekë zyrtare.

KALLXO.com i ka marrë për bazë vetëm rastet kur është përmendur në faturë arsyeja e shpenzimit, si në këto raste, që thuhet për iftar.

SHTIME

Komuna e Shtimes më 6 qershor të vitit të kaluar kishte shtruar iftar për kuvendin komunal të Shtimes dhe Bashkësinë Islame të kësaj komunë me vlerë prej 549 euro e 50 cent.

Në këtë drekë ishin ngrënë 41 mishra të kombinuar me vlerë totale prej 246 euro si dhe 41 sallata e 41 supa me vlerë totale 143 euro e 50 cent. Në këtë iftar janë ngrënë edhe ëmbëlsira me vlerë prej 41 euro si dhe pije të ndryshme.

RAHOVEC

Komuna e Rahovecit kishe shtruar drekë më rastin e muajit të Ramazanit me vlerë prej 969 euro.

Në këtë drekë janë porositur 140 gjysmë pula. Një gjysmë pulë kishte kushtuar 3 euro. Përveç pulës, në këtë iftar ishin porositur edhe mish viqi, speca dhe pije të ndryshme.

Në arsyetimin e faturës thuhet se kjo drekë është organizuar me rastin e Ramazanit dhe fatura është shtypur më 11 qershor të vitit të 2018.

OBILIQ

Komuna e Obiliqit kishte shtuar iftar me vlerë prej 773 euro e 50 cent më 31 maj të 2018. Ky iftar për mysafir ishte shtruar nga ana e Kryetarit të Komunës. Në faturën e këtij iftari nuk ka kupon fiskal, por vetëm fatura e rregulltë dhe arsye e shpenzimit të këtyre mjeteve.

MALISHEVË

Komuna e Malishevës kishte shtruar iftar për familjet e dëshmorëve më 6 qershor të vitit të kaluar. Ky iftar i kishte kushtuar komunës së Malishevës 910 euro.

VUSHTRRI

Komuna e Vushtrrisë kishte shtruar iftar me vlerë prej 539 euro për klubin e Hendbollit të femrave, më 6 qershor të 2018. Në këtë iftar ishin porositur 77 mishra të kombinuar dhe 77 shishe të ujit. Për ushqim kishin paguar 500 euro e 50 cent, ndërsa për ujë 38 euro e 50 cent.

Kjo komunë kishte shtruar edhe një iftar tjetër, por rreth 3 herë më të shtrenjtë. Më 1 qershor të 2018, Komuna kishte shtruar iftar me vlerë prej 1 mijë e 576 euro.

Komuna e Vushtrrisë në një përgjigje për KALLXO.com kishte deklaruar se ky iftar ishte shtruar për asamblistët e Komunës, drejtorë të drejtorive, krerët e bashkësisë islame, arsimit, shëndetësisë, Policisë së Kosovës, klubeve sportive e biznesmen.

DRENAS

Komuna e Drenasit kishte shtruar iftar me vlerë prej 200 euro për ditë e çlirimit të Drenasit, më 14 qershor 2018.

Iftari ishte shtruar për ansamblin shtetëror të këngëve dhe valleve “Shota”, të cilët kishin preformuar  në sheshin “Fehmi Lladrovci”. Pas përfundimit të koncertit ata kishin ngrëne edhe iftar, të cilin e kishte paguar Komuna e Drenasit.

Në Drenas, Komuna kishte shtruar edhe një iftar tjetër. Më 31 maj të 2018 në iftarin e shtruar nga komuna që kishte kushtuar 113 euro kishin marrë pjesë kryetari i Komunës, Ramiz Lladrovci me drejtorët e Komunës si dhe përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të kësaj komune.

Prizren

Në një artikull të publikuar nga KALLXO.com për shpenzimet e Komunës së Prizrenit, kishte reaguar kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka.

Në reagimin e tij Haskuka tregon se fatura me vlerë prej 330 euro kishte qenë organizim iftari për më shumë se 30 persona.

Ndërsa në faturën të cilën KALLXO.com e kishte marrë përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, nuk ishte specifikuar se darka kishte qenë iftar.

Në këtë iftar, sipas kryetarit Haskuka kishin qenë prezent dy delegacione nga qytetet e Turqisë, Amasya dhe Beykoz.

Mamushë

Iftar ka shtruar edhe komuna e vogël e Mamushës. Ndonësë është një nga komunat më të vogla të Kosovës, iftari i shtruar u ka kushtuar shumë.

Më 3 qershor të 2018, Mamusha kishte shtruar iftar me vlerëprej 1 mijë e 44 euro.

Në këtë faturë nuk përmendet se për kë është shtruar iftari, por vetëm që janë porositur 174 darka të iftarit, që i bie se për një person është paguar 6 euro.

Këto janë komunat të cilat në shpenzimet e përcjella tek KALLXO.com i kanë arsyetuar duke treguar se iftari ka qenë i shtruar për grupin e caktuar të njerëzve.

KALLXO.com nuk e përjashton mundësinë që edhe komunat tjera të kenë shtruar iftare, mirëpo në faturat të cilat i kanë dërguar tek KALLXO.com nuk përmendet si detaj.

Ndërsa në shumë prej faturave, mungon kuponi fiskal dhe arsyetimi, por është e bashkangjitur vetëm fatura e rregullt dhe mbishkrimi “Ushqim dhe pije”.

KALLXO.com ka publikuar shpenzimet e drekave dhe darkave zyrtare të kryetarëve të komunave dhe zyrtarëve tjerë.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.

06 Prill 2019 - 16:12

Taulant Osmani 06/04/2019 - 16:12
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Send this to a friend