Komuna e Prizrenit - Foto: KALLXO.com

Komunarët e Prizrenit harxhojnë qindra euro për akomodimin e kolegëve nga Turqia

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Prizrenit i’a ka kthyer nderën e para dy viteve kolegëve të tyre nga qyteti i Izmirit në Turqi.

Për katër ditë sa kanë qëndruar në Prizren, zyrtarë të kësaj komune janë përkujdesur që delegacionit nga Turqia të i ofrojnë një akomodim të mirë.

Në faturën e analizuar nga KALLXO.com të  datës 5 maj të vitit 2018, kjo ‘mirëpritje’ buxhetit të Komunës i ka kushtuar hiq më pak se 780 euro dhe është e shënuar si faturë akomodimi.

Ndonëse fatura nuk jepte detaje se për kë është paguar kjo vlerë kaq e madhe e akomodimit, KALLXO.com ka kontaktuar zyrën për informim të kësaj komunë, të cilët kanë thënë që me këtë akomodim i’a kanë kthyer ‘nderin’ e para dy viteve.

“ Drejtoria e Arsimit ka pritur mysafirët nga Turqia, respektivisht nga qyteti i Izmirit. Delegacioni ka kthyer vizitën e bërë nga Drejtoria e Arsimit dy vite më herët, andaj Drejtoria e Arsimit ka akomoduar mysafirët në Hotel Alvida në Prizren. Akomodimi së bashku me drekat për katër ditë ka kushtuar 780.00 euro, sipas faturës 001-406.”, thuhet në përgjigjet e kësaj Komune.

Sipas tyre kjo vizitë është realizuar për implementimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të dy drejtorive dhe katër (4) shkollave të binjakëzuar.

Sipas tyre i gjithë ky ‘akomodim’ ka qenë për të punuar në hartimin e një marrëveshjeje për arsimin mes dy vendeve.

“ Qëllimi është Implementimi i marrëveshje së  bashkëpunimit në mes të dy drejtorive dhe shkollave të binjakëzuara. Marrëveshja përmban përgatitjen  e materialeve mësimore dhe organizimin e panaireve të shkollave profesionale nga turizmi”, kanë thënë tutje ata.

KALLXO.com  në kuadër të dosjes Sa Han Kryetari është duke i publikuar shpenzimet e drekave dhe darkave zyrtare të Komunave të Kosovës,. Në bazë të analizimit të disa të faturave të Komunës së Prizrenit kemi vërejtur që zyrtarët e kësaj komune si ushqim të preferuar kanë ushqimet e skarës, qebapat dhe pleskavicat.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.

Sa qebapë e pleskavica i konsumuan pushtetarët e Prizrenit