Komunarët e Klinës adhurues të pulave të pjekura

Nëse zyrtarët e komunave tjera parapëlqejnë që në dreka zyrtare të hanë ushqime deti, për komunarët e Klinës, pula është ushqimi më i shpeshtë që ata e hanë dhe pastaj e paguajnë me para të buxhetit të Komunës.

Në faturat e shpenzimeve për dreka dhe darka zyrtare të Komunës së Klinës, ushqimi më shpeshtë që ata porosisin është gjysëm pule e pjekur.

Në 10 dreka zyrtare që i ka analizuar KALLXO.com, këta komunarë kanë porositur në total 94 gjysmë pula.

Një gjysmë pulë tek vendi i pulave në Zllakuqan kushton 2 euro e 80 cent.

Në total, vetëm për pula në këto 10 dreka janë shpenzuar mbi 260 euro.

Përvec pulave, në këto dreka, pula është shoqëruar edhe me sallatë dhe pije të ndryshme në kanaqe e ujë.

Në disa prej këtyre drekave të pulave kishin qenë kabineti i kryetarit, pastaj në disa raste zyrtarë të Drejtorisë së Urbanizmit e Shërbimeve Publike etj.

Mirëpo ata jo gjithmonë i kishin qëndruar besnik mishit të pulës.

Në korrik të vitit të kaluar, zyrtarët e Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kishin ngrënë 5 kg mish, me vlerë totale 70 euro.

Përvec 5 kg mish, në këtë drekë ishin porositur edhe 5 biftek, me vlerë totale 25 euro.

KALLXO.com ka filluar publikimin e dosjes “Sa han Kryetari”, ku do të bëhen publike shpenzimet e luksit nga përfaqësuesit e komunave të Republikës së Kosovës.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.