Komuna shpenzon paratë për kos të deleve e mish qengji

Në mesin e komunave të cilat buxhetin e tyre e shpenzojnë në alkool është edhe komuna e Dragashit.

Ndonëse në sasi të vogël kjo komunë në darkën e datës 29 mars është përkujdesur që 6 porcionet me  mishin e qengjit të cilat kanë kushtuar 48 euro ti shoqëroj edhe me 3 birra të llojit Heiniken të cilat buxhetit të komunës i kanë kushtuar 7 euro e 50 cent.

Përveç alkoolit në këtë faturë nuk ka munguar as mishi e produktet e qumështit, totali i faturës ka vlerën 115 euro.

Në faturën e datës 29 maj 2018, janë ngrënë 7 bukë shtëpie, të cilat kanë kushtuar 7 euro, është ngrënë një djathë mix i cili ka kushtuar 2 euro, përveç djathit mix janë ngrënë edhe 3 copë të djathit të sharrit, të cilat kanë kushtuat 7 euro e 5 cent, poashtu janë pirë edhe 3 kosa të deles të cilët kanë kushtuar 4 euro e 50 cent.

Komunarët e Dragashit, në këtë darkë nuk lanë anash as pijet energjike, ata konsumuan 1 coca cola në vlerë 1 euro  si dhe 6 pije të llojit Schweppes në vlerë prej 6 eurove.

Përveç kësaj në këtë darkë ata konsumuan edhe perime si: speca, spinaq në tavë, si dhe turshi shtëpie.

Ndërsa e gjithë darka përfundoi në nga një kafe të llojit expresso, ku u konsumuan 7 prej tyre në vlerë prej 7 eurove.

KALLXO.com në kuadër të dosjes Sa Han Kryetari ka raportuar se në bazë të analizimit të faturave të 23 komunave, 15 nga to kanë rezultuar se shpenzojnë buxhetin e komunës në alkool, ndërsa vetëm 7 komuna nuk kanë shpenzuar buxhetin në alkool.

Komunat të cilat kanë harxhuar buxhetin e tyre në alkool janë: Komuna e Prishtinës, Komuna e Mitrovicës, Hanit të Elezit, Suharekës, Prizrenit, Ferizajt, Gjakova, Peja, Istogu, Vitia, Kaçaniku, Rahoveci, Juniku, Klina, Shtimes  si dhe Komuna e Dragashit.

KALLXO.com ka analizuar faturat të cilat komunat i kanë ofruar, një pjesë e madhe e faturave kanë pasur vetëm togfjalëshin “ushqim+pije”, mirëpo në bazë të faturave në të cilën janë të treguara ushqimet dhe pijet që janë konsumuar rezulton se komunat që nuk kanë blerë alkool me para të buxhetit të komunës janë: Komuna e Vushtrrisë, Malisheva, Mamushës, Kamenicës, Lipjanit, Drenasit, Obiliqit.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.