Komuna e Vushtrrisë shembull- shmangë pagesat për alkoolin e ushqimet e detit përkrahë shoqatat e grave

Një rast i mirë i shpenzimit të parasë publike është hasur në komunën e Vushtrrisë. Paratë e shtetit nuk janë shpenzuar për të blerë vera të huaja të shtrenjta e ushqime deti por për të kontribuar në fuqizimin e shoqatave të grave që prodhojnë fli, pite, mantia e krelana- prodhime tradicionale vendore.

Për dallim nga drekat e shtrenjta të raportuara në Dosjen “Sa Han Shefi” organizimi i dy drekave të Zyrës për Barazi Gjinore nuk ka qenë shpenzim lluksi.

Në faturat e siguruara nga KALLXO.com, gjatë këtyre dy drekave janë ngrënë ushqime të ndryshme prej brumeve.

Këto dreka ishin shtruar nga Zyra për Barazi Gjinore në këtë komunë dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Vushtrrisë.

Në drekën e shtruar nga Zyra për Barazi Gjinore ishin porositur dy tepsia fli të cilat kishin kushtuar në total 50 euro.

Përveç flisë, në këtë drekë nuk kishin munguar as pitet. Me para të buxhetit të komunës ishin porositur dy tepsia me pite të ndryshme, që në total kishin kushtuar 30 euro, apo 15 euro për copë.

Ndërsa 45 euro ishin shpenzuar për tri tepsia me mantia dhe 30 euro për dy krelana misri.

Flia, krelana e pitet zakonisht hahen me turshia e djath. Në këtë drekë, zyrtarët komunal të Vushtrrisë ishin përkujdesur që të blejnë edhe djath e turshi. Në total dreka e kësaj Zyre kishte kushtuar 200 euro dhe ishte shtuar në dhjetor të 2017-ës.

Ndërsa, rreth tetë muaj më vonë, në korrik të 2018-ës, drekë më ushqime tradicionale kishte shtruar edhe Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në këtë komunë, e cila kishte kushtuar 100 euro më shumë.

300 euro të buxhetit të Komunës ishin shpenzuar për tri flija që në total kishin kushtuar 75 euro, tri pite 45 euro, e pesë tepsia mantia me vlerë totale 75 euro.

Sikurse në drekën e parë, as këtu nuk kishte munguar krelana e misrit, ku ishin porositur dy tepsia me vlerë totale 30 euro.

Shembujt e Vushtrrisë nuk janë ndjekur nga komunat e tjera ku verërat e shtrenjta dhe shpenzimet e lluksit janë të zakonshme.

Në Ferizaj është raportuar për shpenzime të mëdha në vera jovendore e deri në blerjen e cigareve të shtrenjta.

 

Agim Aliu dhe vartësit e tij të apasionuar pas verës, e paguajnë me para të shtetit

Në Prizren e Prishtinë poashtu ka pasur raportime për fatura ku është konsumuar alkool.

KALLXO.com ka filluar publikimin e dosjes “Sa Han Kryetari”, ku do të publikohen shpenzimet e drekave dhe darkava zyrtare të kryetarëve e përfaqësuesve tjerë të komunave të Kosovës.

 

.

19 Janar 2019 - 18:07

Taulant Osmani 19/01/2019 - 18:07
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Send this to a friend