Komuna e Obiliqit shpenzon mbi 2 mijë euro për 6 dreka me asamblistët

Komuna e Obiliqit i ka shpenzuar mbi 2 mijë euro të buxhetit të saj vetëm për t’i dhënë “bukë” asamblistëve të komunës, pas mbledhjeve që ata i kanë mbajtur në seancat e kuvendit komunal.

2 mijë e 67 euro është shuma që Komuna ka shpenzuar në 6 dreka zyrtare për asamblistët e komunës.

Në faturat e shpenzimeve të Komunës së Obiliqit që KALLXO.com i ka marrë përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, asamblistët pas mbledhjes së Kuvendit Komunal kanë shkuar në drekë.

KALLXO.com ka raportuar për shpenzimin me vlerë prej 1 mijë e 318 euro në ditën e parë të punës së Kryetarit të Komunës dhe këshilltarëve komunal.

Kjo drekë ishte ngrënë më 21 dhjetor 2017.

KALLXO.com ka analizuar edhe rastet tjera ku asamblistët e Obiliqit kanë vazhduar nëpër restorante pas mbledhjes së Kuvendit Komunal.

Më 24 janar të 2018 ishin shpenzuar 330 euro për ushqim dhe pije.

“Nga ju kërkojmë që t’i lejoni mjetet për pagesë në emër të reprezentacionit për delegatët e Kuvendit Komunal, të cilët pas mbledhjes së mbajtur më 24.01.2018, janë shërbyer me ushqim dhe pije, në shumë prej 330 euro”, thuhet në kërkesën për kryerjen e kësaj pagesë.

107 euro ishin shpenzuar vetëm disa ditë më vonë, pas një mbledhje tjetër.

Më 28 janar 2018, ishin shpenzuar 107 euro pas mbledhjes së Kuvendit.

“Nga ju kërkojmë që t’i lejoni mjetet për pagesë në emër të reprezentacionit për delegatët e Kuvendit Komunal, të cilët pas mbledhjes së mbajtur më 28.012018, janë shërbyer me ushqim dhe pije, në shumë prej 107.75”, thuhet në kërkesën për kryerjen e pagës për këtë drekë tjetër.

Një drekë tjetër, që ishte paguar pas mbledhjes së Kuvendit Komunal është edhe ajo e e 30 prillit të vitit të kaluar. Në këtë drekë ishin shpenzuar 112 euro.

Ndërsa me 17 shkurt të vitit të kaluar, pas mbledhjes së Kuvendit Komunal që ishte mbajtur për 10 vjetorin e pavarësisë, ishin shpenzuar 61 euro për koktejin e organizuar.

Pas mbledhjes së Kuvendit Komunal të 29 qershorit të vitit të kaluar, ishin shpenzuar 138 euro për ushqim dhe pije.

KALLXO.com ka publikuar shkrime nga shpenzimet e drekave dhe darkave zyrtare të kryetarëve të komunave dhe zyrtarëve tjerë.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.