Komuna e Malisheves. Malisheve. 28.05.15 Photo: Atdhe Mulla

Komuna e Malishevës harxhon mbi 1 mijë euro ushqime për ditën e dëshmorëve

Komunarët e Malishevës tregohen shumë ‘dorëlirë’ në shpenzime kur vie puna tek festimi i datave të rëndësishme për këtë Komunë.

KALLXO.com gjatë analizimit të faturave të kësaj Komune, ka vërejtur se fatura e datës 16 qershor 2018 ka një vlerë të lartë të shpenzimeve, për këtë arsye KALLXO.com ka kërkuar sqarime shtesë nga Komuna e Malishevës.

Faturën në vlerë prej 1 352euro, komunarët e Malishevës e kanë arsyetuar duke thënë se 16 qershori është data më e rëndësishme për këtë komunë, andaj edhe shpenzimet janë të larta.

Në përgjigjet e zyrës për informim të kësaj komune thonë që numri i të ftuarve në këtë drekë tradicionale ka qenë i madhe, ndonëse nuk kanë treguar se sa persona kanë qenë.

“16 Qershori, është data më e rëndësishme në Komunën e Malishevës, andaj komuna fton mysafir të shumtë, artist  (këngëtar, valltar, aktorë) nga të gjitha trojet shqiptare, mysafir nga qytetet apo komunat nga vendet e tjera në Evropë, me të cilët bashkëpunojmë, pastaj të gjitha familjet e dëshmorëve, veteranët e luftës dhe të tjerë”, thuhet në përgjigje.

Tutje në këto përgjigje, Komuna e Malishevës ka bërë të ditur se shpenzime të tilla për këtë ditë bëhen pothuajse çdo vit.

“Për të gjithë të ftuarit komuna, shtron drekë dhe kjo është tradicionale në Komunën e Malishevës ( jo vetëm në vitin e kaluar, por çdo vit).  Personat që janë ushqyer, nuk kanë qenë staf i komunës, por të persona dhe grupe, të cilët i kanë përcaktuar stafi i komunës, për të ngrënë drekë në restorantin e caktuar”, thuhet tutje në përgjigje.

KALLXO.com gjatë analizimit të faturave të Komunës së Malishevës ka vërejtur se edhe më datën 7 qershor 2018, komuna ka organizuar një iftar me familjet e dëshmorëve, iftar i cili buxhetit të Komunës i ka kushtuar hiq më pak se 910euro.

Në kuadër të dosjes Sa Han Kryetari, KALLXO.com është duke i publikuar shpenzimet e Komunave të Kosovës në dreka dhe darka zyrtare.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.