Komuna e Kamenicës ua paguan akomodimin në hotel mysafirëve nga Turqia

Komuna e Kamenicës ka shpenzuar 60 euro nga buxheti i saj për të ia paguar akomodimin mysafirëve nga Turqia.

Në faturën e siguruar nga KALLXO.com, kjo komunë kishte shpenzuar 60 euro për dy dhoma për një delegacion nga Turqia.

Një dhomë akomodimi kishte kushtuar 30 euro, ndërsa për dy të tilla ishin shpenzuar 60 euro.

Ndërsa e gjithë fatura kishte kushtuar 64 euro e gjysmë.

Përveç akomodimit, në këtë faturë është paguar edhe për një omlet, 4 çaja filtër dhe një ujë natyral.

Kjo pagesë ishte bërë në emër të zyrës së Kryetarit, ndërsa fatura ishte lëshuar më 22 janar 2018.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Komuna e Kamenicës ka bërë të ditur se akomodimi në hotel është bërë për një shoqatë turke të cilët i kanë dhuruar Komunës një kamion për menaxhimin e mbeturinave.

“Kryetari i shoqatës “ KOSAOVA USKUP TURKLERI KULTUR VE DAYANSMA DERNEGI” z. Recep Gunduz dhe shoferi i kamionit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Komunës së Kamenicës, të pyetur se kush janë personat që janë akomoduar në këtë hotel.

“Delegacioni ka ardhë për qëllim të prurjes së kamionit për menaxhimin e mbeturinave- donacion për Kamenicën”, thuhet tutje në përgjigje e Komunws.

KALLXO.com ka filluar publikimin e dosjes “Sa Han Kryetari”, ku do të publikohen shpenzimet e drekave dhe darkave zyrtare të kryetarëve e përfaqësuesve tjerë të komunave të Kosovës.

Fatura e Komunes se Kamenices per akomodim ne hotel Foto: KALLXO.com

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.