Komuna e Kaçanikut zotohet për rregull në dreka e darka zyrtare

Komuna e Kaçanikut, për periudhën dhjetorë 2017 dhe gusht 2018, ka vetëm 19 fatura të drekave dhe darkave zyrtare.

Nga këto 19 fatura, 3 nga to janë të arsyetuara me togfjalëshin, ‘ushqim+pije’ pa treguar se çfarë produkte janë blerë nga buxheti i Komunës.

KALLXO.com ka marrë arsyetimin e Komunës për numrin kaq të vogël të faturave të kësaj Komune.

“Këto janë të gjitha faturat e komunës të kërkuara nga ana juaj, për periudhën e caktuar kohore. Është specifikë e komunës sonë ndër vite për shpenzime të ulëta në dreka dhe darka zyrtare”, thuhet në përgjigjet e kësaj komune.

Po ashtu në përgjigjen e tyre për KALLXO.com, zytarë të kësaj Komune, kanë thënë që nuk do të tolerojnë më përshkrimin ‘ushqim+pije’ ne faturat e drekave dhe darkave zyrtare.

“Togfjalëshi  ‘ushqim+pije’ është përshkruar nga furnitori në këtë mënyrë, por një gjë e tillë nuk do të përsëritet”, theksohet në përgjigjet e Komunës.

KALLXO.com në kuadër të dosjes Sa Han Kryetari, ka raportuar se në listën e Komunave të cilat me buxhetin e shpenzojnë në alkool është edhe komuna e Kaçanikut.

Në drekën e datës 15 gushtë 2018, përveç mishit të qengjit u konsumuan edhe 14 gota të rakisë të cilat kushtuan 21 euro.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.