Komuna e Junikut u paguan hotelin e Red Bull-at çiklistëve nga Shqipëria

Komuna e Junikut ka shpenzuar 90 euro për t’i akomoduar në “odë” 6 çiklistë të Shqipërisë.

Në faturat e siguruara nga KALLXO.com, Komuna e Junikut nga buxheti i saj kishte paguar për akomodimin e 6 çiklistëve nga Shqipëria të cilët kishin qenë pjesëmarrës të garës tradicionale me biçikleta, “Downhill Gjeravica”.

Nata për një person në hotelin “Oda e Junikut”, bashkë me mëngjesin kishte kushtuar 15 euro, ndërsa për 6 persona totali kishte kushtuar 90 euro.

Mirëpo njëri nga mysafirët e Shqipërisë ishte përkujdesur që të merr energji përmes pijes energjike, Rebull. Kjo pije që kishte kushtuar 2 euro e gjysmë ishte paguar nga Komuna e Junikut.

Ndërsa të tjerët kishin pirë ujë, cocacola, sprite e lëng portokalli.

“Komuna e Junikut për çdo vit në muajin qershor organizon garën tradicionale me biçikleta të quajtur “Downhill Gjeravica” në të cilën garë marrin pjesë shumë shoqata të biciklisteve, jo vetëm nga Kosova por edhe jashtë Kosovës, përkatësisht në organizimin e kësaj gare me datën 24.06.2018 kanë marr pjesë një staf prej 6 anëtareve nga Shqipëria si mbështetje teknike për organizimin e kësaj Gare”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Junikut.

“Këta persona kanë qenë anëtar të shoqatës së çiklizmit “Mountain Bike Albania”, thuhet tutje në përgjigjen e zyrës për media të Komunës së Junikut.

KALLXO.com ka filluar publikimin e dosjes “Sa Han Kryetari” ku do të bëhen publike shpenzimet e drekave dhe darkave zyrtare të kryetarëve të komunave dhe zyrtarëve tjerë.

Fatura e Komunes se Junikut

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.