Këto janë komunat që ‘fshehin’ shpenzimin e parasë publike

KALLXO.com muajve të fundit ka publikuar 76 artikuj për shpenzimet e kryetarëve të komunave dhe zyrtarëve tjerë të Komunave në dreka dhe darka zyrtare.

Nga 38 komuna sa janë në Kosovë, vetëm 25 prej tyre u janë përgjigjur pozitivisht kërkesës së KALLXO.com për qasje në faturat e drekave dhe darkave.

13 komuna tjera kanë vendosur t’i mbajnë të fshehura shpenzimet në dreka dhe darka.

Komunat që u janë përgjigjur pozitivisht kërkesës dhe kanë vendosur t’i tregojnë opinionit se në çfarë ushqimesh shpenzojnë kryetarët e komunave dhe vartësit e tyre, janë:

Drenasi, Prizreni, Prishtina, Ferizaj, Kaçaniku, Peja, Mitrovica, Suhareka, Obiliqi, Rahoveci, Vitia, Vushtrria, Mamusha, Juniku, Hani i Elezit, Shtimja, Fushë Kosova, Gjakova, Malisheva, Klina, Kamenica, Istogu, Dragashi, Lipjani dhe Gjilani.

Ndërsa, 13 komuna tjera nuk janë përgjigjur pozitivisht kërkesës për hapje të faturave. Në mesin e këtyre komunave janë edhe komunat që udhëhiqen nga kryetarë serbë.

Komuna e Zubin Potokut i ka thënë BIRN-it se ata nuk e shpenzojnë paranë e Komunës në dreka dhe darka zyrtare, andaj nuk posedojnë fatura të këtyre shpenzimeve.

Komunat që nuk kanë kthyer përgjigje janë:

Deçani, Podujeva, Skenderaj, Graçanica, Novobërda, Shtërpca, Parteshi, Kllokoti, Ranillugu, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi dhe Zveçani.

Në artikujt e publikuar në dosjen “Sa Han Shefi” mund të gjeni shpenzime të ndryshme të zyrtarëve të Komunave duke filluar nga verërat e shtrenjta, drekat me mishra të shtrenjtë, cigare e çamçakëzë.

Këtu mund t’i gjeni artikujt për shpenzimet e komunave në dreka dhe darka zyrtare.

https://kallxo.com/dosja/

 

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.