Këshilltari i Thaçit pagoi biletën e shtrenjtë në 'Business Class'

Këshilltari i Hashim Thaçit, Bekim Çollaku, kishte paguar mbi 1 mijë euro biletë njëdrejtimëshe nga Londra në Vjenë, e nga Vjena në Prishtinë.

Arsyeja pse bileta kishte kushtuar më shtrenjtë është ngase ai kishte zgjedhur të udhëtonte me kategorinë ‘Business Class’.

Në faturat e shpenzimeve në kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër, të cilat i ka marrë BIRN pas një procesi gjyqësor me Zyrën e Kryeministrit, del që këshilltari i tij në vend të biletës ‘Economy’, e cila kushton më lirë, ka zgjedhur të udhëtojë me ‘Business Class’, e cila njihet si kategori e dytë në rangim.

Zakonisht kompanitë e fluturimeve kanë katër kategori: e para dhe më e shtrenjta është ‘First Class”, më pas vjen “Business Class”, ndërsa kategoritë më të lira janë “Premium Economy” dhe më e lira dhe ekonomikja është “Economy Class”.

Në konfirmimin e email-it për rezervimin e biletës së tij thuhet se itinerari i fluturimit është në kohën e njejtë me atë të Vlora Çitakut. Udhëtimi i datës 20 korrik 20112, me një ndalesë në Vjenë në kategorinë ‘Business Class’ i ka kushtuar arkës së shtetit 1 mijë e 33 euro.

“Itinerari është i njejtë sikur për znj. Vlora Citaku. Nisja më datën 20 korrik nga Londra në orën 15:35 dhe arritja në Vienë në orën 19:05, prej Vienës në orën 20:20 dhe arritja në Prishtinë në ora 22:10”, thuhet në konfirmimin e rezervimit të biletës për Bekim Çollakun.