Këshilltari i Pacollit 'nuk i zhdryp' telefonit në Kamerun

Shpenzime të mëdha të telefonit ishin bërë nga këshilltari i Behgjet Pacollit gjatë udhëtimit në Camerun.

Plot 717 Euro e 19 centë ishin shpenzuar për tirrje telefonike nga këshilltari Avni Dervishi, gjatë një vizite në shtetin afrikan.

Sipas dokumenteve të siguruara nga KALLXO.com, Dervishi kishte qëndruar në Kamerun nga 28 tetori deri në 4 nëntor 2011 ndërsa në faturat e paguara për këtë udhëtim nënvizohet shpenzimi i telefonit prej 717 euro dhe 1502 euro për qëndrimin në hotel prej datës 29 deri me 5 nëntor.

Kallxo.com ka kërkuar sqarime për këtë shpenzim të parave të shtetit te Jetlir Zyberaj, këshilltar për media Behgjet Pacollit, por i njëjti nuk është përgjigjur.

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruara pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do të publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzime.