Shpenzimet e Komunes se Junikut Ilustrim kallxo.com

Juniku shpenzon mijëra euro në dreka

Komuna e vogël e Junikut për vetëm 4 dreka ka shpenzuar 3 mijë euro.

Në faturat e siguruara nga KALLXO.com ekzistojnë 4 dreka zyrtare me çmime të ndryshme, por që totali i tyre kap shifrën e 3 mijë eurove.

Më 8 mars të vitit të kaluar, komuna e Junikut kishte shpenzuar 800 euro për aktivistë vullnetarë të cilët kishin marrë pjesë në organizimin “Shtegu i shpresës” në vrapim.

Në këtë drekë, sipas zyrës për media të Komunës së Junikut kanë marrë pjesë 105 persona, ndërsa paratë janë shpenzuar për ushqim dhe pije.

Dy muaj më vonë, më 8 maj të 2018, komuna kishte shpenzuar edhe 500 euro tjera, ku kishte shtruar drekë për 50 persona.

Arsye për shpenzimin e kësaj dreke, sipas Komunës së Junikut, ishte përfundimi i rrugës Junik-Nikovaz, ndërsa kanë marrë pjesë përfaqësuesit e institucioneve lokale e qendrore si dhe përfaqësues të kompanisë që kishte kryer punimet në këtë rrugë.

Ndërsa më 3 prill të vitit të kaluar, Komuna përsëri kishte shpenzuar para të mëdha për drekë zyrtare.

Buxheti i Junikut ishte pakuar për 700 euro për drekën që ishte shtruar me ushqim dhe pije pas pranimit të donacionit që kishin marrë nga Organizata “Humanbridge”.

Sipas komunës, në këtë drekë të pranishëm kanë qenë 59 persona nga komuna dhe organizata.

Ndërsa më 12 janar të vitit të kaluar, Komuna kishte shënuar rekord duke shpenzuar 1 mijë euro  për festën e fund vitit me zyrtarët komunal.

“Darka e fund vitit për stafin e Komunës së Junikut. Kanë marrë pjesë 60 persona”, thuhet në përgjigjet e Komunës për KALLXO.com.

Mesatarisht, për person në këtë darkë janë shpenzuar 16 euro e 60 cent.

KALLXO.com ka filluar publikimin e dosjes “Sa Han Kryetari” ku do të bëhen publike shpenzimet e kryetarëve të komunave dhe zyrtarëve tjerë.

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.