Istogu i përshëndet pensionistët me proshutë, kaçkavall, kikirikë e çipsa

Komuna e Istogut ka shpenzuar para të buxhetit të saj në çipsa, kikirikë e proshutë për t’i përcjellë punëtorët e kësaj komune që kishin dal në pension.

Në faturat e siguruara nga KALLXO.com figurojnë shpenzime edhe për këto produkte.

Në korrik të vitit të kaluar, Komuna e Istogut kishte dërguar në pension 3 punëtorë të saj, për të cilët ishte përkujdesur të organizoj një koktej duke shpenzuar 243 euro.

4 kilogramë kikirikë ishin ngrënë në këtë koktej apo në total 22 euro për kikirikë.

Ndërsa 22 euro e gjysmë ishin shpenzuar për çipsa.

Përveç kikirikëve dhe çipsave në këtë koktej ishin shpenzuar 53 euro për proshutë dhe 38 euro për kaçkavall.

Ndërsa në mars të 2018 për pensionimin e një punëtori tjetër ishin shpenzuar 201 euro. Ndryshe nga hera e kaluar, në këtë koktej pensionimi ishin ngrënë vetëm 1 kilogram kikirik dhe ishin shpenzuar vetëm 7 euro e gjysmë për çipsa. 42 euro gjysmë ishin shpenzuar për proshutë ndërsa 20 euro për kaçkavall.

Ndërsa në koktejin tjetër për pensionimin e një zyrtari tjetër, komuna kishte shpenzuar vetëm 81 euro.

13.5 euro për çipsa, 12 euro për kaçkavalle, 38 euro e 25 cent për proshutë dhe 26 e 25 cent për lëngje.

Ndërsa në koktejin e organizuar për ditën e mësuesit, më 7 mars ishin shpenzuar më pak se sa për koktejet e pensionimit.

Në koktejin e 13 marsit të vit të kaluar, që ishte organizuar në nder të ditës së mësuesit ishin shpenzuar në total 184 euro. 5 euro e gjysmë ishin shpenzuar për kikirikë ndërsa 16 euro e gjysmë ishin shpenzuar për çipsa. Proshuta dhe kaçkavalli në këtë koktej kishin kushtuar bashkërisht 77 euro e 60 cent.

Ndërsa në takimet e asamblesë komunale për 10 vjetorin e pavarësisë dhe mbledhjeve të tjera të asamblesë që ishin mbledhur në një faturë ishin shpenzuar në total 521 euro. Prej këtyre 10.5 euro ishin shpenzuar për çipsa, ndërsa 11 euro për kikirikë. Mishi i thatë proshutë i kishte kushtuar komuna 59 euro e gjysmë ndërsa kaçkavalli 36 euro.

KALLXO.com ka filluar publikimin e dosjes “Sa han Kryetari”, ku do të publikohen shpenzimet e kryetarëve dhe zyrtarëve të komunave në dreka dhe darka zyrtare.

Fatura e Komunes se Istogut

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.