Ish-shefit të AKI-së i rritet pasuria

Ish-drejtori i AKI-së dhe tash sekretari i Zyrës së Presidentit të Kosovës, Driton Gashi ka deklaruar se në bankat e Kosovës mban 41 mijë euro.

Sipas deklarimit të pasurisë së Gashit në Agjencinë Kundër Korrupsion për vitin 2019, 17 mijë euro janë të prindit të tij, 10 mijë të bashkëshortes dhe 14 mijë euro i takojnë atij.

Po ashtu, ish-shefi i AKI-së, ka deklaruar edhe një shtëpi me sipërfaqe 220 metra katrorë, në vlerë 125 mijë euro. Gashi ka deklaruar se kjo shtëpi është në emër të prindi të tij.

Sa i përket pasurisë së luajtshme, Gashi ka thënë se ka një veturë të cilën e ka që nga viti 2016, e që kushton 14 mijë euro.

Përveç pasurisë, Gashi ka deklaruar se i ka borxh 8 mijë euro një personi fizik. Ai ka treguar se këto para i ka marrë në formë të huazimit për të mbyllur një kredi.

Gashi ka deklaruar se nga puna aktuale, si sekretar në Presidencë, ai merr një pagë vjetore prej 17 mijë e 472 euro. Përveç kësaj ai e ka deklaruar edhe diferencën nga zbatimi i vendimit të Qeverisë për rritjen e pagave, e cila është 6 mijë 953 euro.

Ai ka deklaruar edhe pensionin e prindit, në vlerë prej 5 mijë 592 euro, përkatësisht, njëri 3 mijë 120 euro dhe tjetri 2 mijë 472 euro.

Gashi në formularin e pasurisë ka deklaruar edhe pagën vjetore të bashkëshortes. Paga vjetore e bashkëshortes së Gashit ka vlerën 17 mijë e 474 euro. Përveç pagës vjetore ajo merr edhe bonuse, vlera e të cilave është 20 mijë euro.