Iftari i Komunës së Vushtrrisë që kushtoi 1 mijë e 576 euro

Në Ramazanin e vitit të kaluar, Komuna e Vushtrrisë kishte shpenzuar 1 mijë 576 euro për shtrimin e një iftari.

Ky iftar ishte shtruar për personelin e komunës dhe përfaqësuesit e institucioneve relevante të Komunës së Vushtrrisë.

KALLXO.com ka siguruar faturën e datës 1 qershor 2018, ku Komuna e Vushtrrisë prej buxhetit të saj kishte shtruar iftar për 197 persona.

Vetëm ushqimi për ta kishte kushtuar 1 mijë 280 euro e 50 cent. Një meny iftari kishte kushtuar 6 euro e gjysmë.

Mysafirët e Komunës kishin pirë edhe nga një pije dhe nga një shishe ujë të thjeshtë. 197 pije nga 1 euro, kostoja totale 197 euro, ndërsa edhe 197 shishe ujë nga 50 cent, totali 98 euro e 50 cent.

Sipas faturës, blerësi kishte qenë Drejtoria e Arsimit dhe Kuvendi Komunal i Vushtrrisë.

“Ky ka qenë një iftar i shtruar nga kryetari i komunës ku kanë qenë të ftuar krerët e institucioneve komunale si: asamblistët komunal, drejtorët e drejtorive, krerët e bashkësisë islame, arsimit, shëndetësisë, Policisë së Kosovës, klubeve sportive, bizneseve dhe ka pasur karakterin njoftues me stafin e ri të komunës”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Vushtrrisë dhënë për KALLXO.com.

KALLXO.com ka raportuar edhe për shpenzimet tjera në Komunën e Vushtrrisë.

KALLXO.com ka filluar publikimin e dosjes “Sa Han Kryetari”, ku përmes artikujve do të bëhen publike shpenzimet e drekave dhe darkave zyrtare të kryetarëve të komunave të Kosovës dhe vartësve të tyre.

Fatura e iftarit e shtruar nga Komuna e Vushtrrise Foto: KALLXO.com

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.