Iftari i Kadri Veselit që i kushtoi buxhetit të shtetit mbi 1 mijë e 600 euro

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, më 1 qershor të vitit të kaluar shtroi një iftar i cili i kushtoi buxhetit të këtij institucioni 1 mijë e 680 euro.

KALLXO.com posedon faturën e iftarit ku i pari i Kuvendit të Kosovës i kishte ftuar 120 mysafirë.

Menyja për person ishte e plotë, nga supa deri në desert, e cila kushtoi 14.00 euro për person.

Kryetari i Kuvendit në iftar ftoi vetëm kolegët deputetë që agjëronin, ndërsa pati edhe përfaqësues të BIK-ut e disa artistë.

“Nënkryetarët e Kuvendit, Shefat e Grupeve Parlamentare, Deputetët që kanë agjëruar, përfaqësues të Bashkësisë Islame në Kosovë, profesor dhe studentë të Medresesë “Alauddin”, përfaqësues të Fakultetit të Studimeve Islame dhe artistë të fushave të ndryshme”, thuhet në dosjen e faturës së iftarit të siguruar nga KALLXO.com.

Iftari u shtrua në hotel “Amazona”, në dalje të Prishtinës, ndërsa 120 personat e ftuar u shërbyen në meny me supë, pogaçe, lëng të ftoftë dhe të ngrohtë, paragjella të ftohta, sallatë të përzier, speca në vaj, kombinim mishi, desert dhe pije të gazuara dhe ujë.

Menyja për një person kushtoi 14.00 euro ndërsa në total çmimi arriti shifrën e 1,680 eurove.

Atë ditë, kryetari i Kuvendit të Kosovës kishte bërë edhe një postim në “Facebook”.

“Populli ynë e njeh më së miri forcën e besimit. Ne besuam te liria dhe ia arritëm asaj. Ne besuam te shteti dhe sot e kemi shtetin e pavarur dhe sovran. Ne besojmë te e ardhmja jonë euro-atlantike dhe do t’ia arrijmë asaj. Të gjithë së bashku, si komunitete dhe bashkësi fetare, jemi të përkushtuar për vendin dhe të ardhmen e tij”, kishte shkruar Veseli.

Ai i kishte ndarë me publikun edhe disa fotografi, ku përveç myftiut Tërrnava, shiheshin edhe disa aktorë.