Hashim Thaçi tejkaloi shpenzimet për hotelin në Dubrovnik

7 mijë e 500 euro të nxjerra avans nga buxheti i shtetit nuk i kishin mjaftuar ish-Kryeministrit Hashim Thaçi dhe katër personave të tjerë për një udhëtim zyrtar në Kroaci.

Hoteli ‘Bellevue’, në Dubrovnik të Kroacisë kishte qenë nikoqir i delegacionit të Thaçit qe përfshinte Dukagjin Goranin, Edi Sejdiun, Astrit Ibrahimi dhe Isni Thaçi nga data 7 deri më 9 korrik të vitit 2011.

Në faturat zyrtare figuron se për këtë udhëtim është marrë avans në shumën prej 7 mijë e 500 euro, ndërsa janë shpenzuar 7 mijë e 705 euro.

Shefi i protokolit të Kryeministrit të atëhershëm, Edi Sejdiu, kishte konfirmuar tejkalimin e shpenzimeve duke u arsyetuar me agjendat e ndërlidhura.

“…Për shkak të agjendave të ndërlidhura në Dubrovnik si dhe në pamundësi të gjejmë hotel me çmim sipas rregullores kemi tejkaluar shpenzimet e hotelit…”, thuhet në emailin e Sejdiut.

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.