Hashim Thaçi harxhoi 600 euro në "Brunello di Montalcino”

Ish Kryeministri Hashim Thaçi i kishte shpenzuar 600 euro të shtetit në 5 shishe të verë të llojit “Brunello di Montalcino”.

Një verë e tillë në restaurantin Pjata ka kushtuar 120 euro, ndërsa gjatë këtij ahengu ishin porositur 5 të tilla.

Aty janë porositur edhe 3 copa djathë, ku vetëm një copë kushtonte 7.50 euro, ndërsa në total kjo kapte shifrën e 22 euro e 50 cent.

Në këtë porosi nuk mungonte as calamari e karkalecat e detit.

KALLXO.com ka raportuar në disa shkrime për shpenzimet e Presidentit Thaçi në verëra të shtrenjta gjatë kohës sa ka qenë Kryeministër.

KALLXO.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa Han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.

Fatura e shpenzimeve te Hashim Thaçit