Haradinaj i qerasë Veteranët me Red Bulla, Vodka, Jagermeister e Verë

Më 4 prill të vitit 2018 zyra e kryeministrit, Ramush Haradinaj, kishte paguar një faturë goxha të shtrenjtë.

Shumë pije alkoolike e jo alkoolike ishin blerë në një biznes me emrin “Luani-Ag” në Pejë. Krejt këto pije, kryeministri Ramush Haradinaj i pagoi për Organizatat e Veteranëve të Luftës (OVL) në Pejë.

Vlera totale e faturës kapte shumën e mbi 2mije e 800 eurove.

Përveç llojeve të ndryshme të alkoolit, aty u shërbye edhe pija energjike, Red Bull. Siç përshkruhet në faturën e drekës, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, ishin blerë 8 pako me Red Bull 250ml, vlera e të cilëve kishte arritë në 193 euro e 22 cent.

Në këtë drekë, që u pagua nga buxheti i shtetit, u pi shumë alkool.

Vera e njohur Pro Corde 750ml u pagua me copë në sasi 30. Çmimi për një ishte përshkruar 5.75 euro e që në total kushtonin 172 euro.

Verë Chardonnay 0.75L u paguan 20 copë në vlerë të përgjithshme prej 84 euro e 58 cent.

Jagerneister 1l ag u pinë 10, çmimi për një të tillë ishte 16 euro e 43 cent, që në total kapë vlerën e 164 euro e 32 cent.

Edhe një lloj tjetër i alkoolit u pagua për drekën. Absolut Vodka 1l 40% u paguan 10 copë, një kushtonte 13 euro e 81 cent ndërsa totali kapi shumën e 138 euro e 05 cent.

Edhe një lloj tjetër i vodkës u pagua nga kuleta e shtetit për OVL-në e UÇK-së në Pejë.

Vodka Smirinof 1l, 9 copë që kushtonin në total 105 euro. Atë ditë u konsumua edhe pija tjetër alkoolike Ballantines 1l, një tillë kushtonte 13 euro e 38 cent ndërsa në total për këtë pijë u paguan 66 euro e 91 cent.

Krejt ky alkool sikur nuk do të mund të pihej pa pasur dicka për të ngrënë. Zyra e kryeministrit Haradinaj pagoi edhe Kaqkavall Trapista 4/1. Siç është përshkruar në faturë, kaçkavalli ishte blerë në sasinë e 35 kilogramëve.

Një kilogram i këtij lloji të kaçkavallit kushtonte 6 euro e 56 cent e që në total kushtonte 229 euro e 77 cent.

Total fatura për drekë për OVL-në në Pejë kapë vlerën e 2 mijë e 875 euro 11 cent.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka marrë faturat e shpenzimeve të drekave dhe darkave zyrtare të Kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave.

KALLXO.com raporton në vazhdimësi mbi shpenzimin e parasë publike nga zyrtarët e lartë publik.

Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht Zyra e Kryeministrit, sot ka reaguar ndaj publikimeve të faturave në media.

Zyra e Kryeministrit ka apeluar te mediat që i publikojnë këto fatura, të mos ja etiketojnë shpenzimet kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, por të gjithë stafit të Qeverisë.

“Është e papranueshme që të manipulohet opinioni publik duke tentuar që kategorizimit “Dreka” t’i epët konotacion individual si shpenzim nga Kryeministri Haradinaj, përderisa në këtë kategori siç e cekëm më lartë, përfshihen njëkohësisht edhe të gjitha shpenzimet zyrtare të stafit, shpenzimet protokollare, ceremoniale për mysafirë dhe delegacione nga vendi dhe të huaja në emër të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu në reagim thuhet që të merret parasysh “dinamika e lartë e aktiviteteve shtetërore, të Institucionit të Kryeministrit dhe Kryeministrit Haradinaj në veçanti”.

Shishet e shampanjës për zyrën e Ramush Haradinajt kushtuan nga 50 euro

www.kallxo.com