Foto: Ramush Haradinaj/Facebook

Haradinaj pasuron ‘sofrën’ me raki dardhe me para të shtetit

Një drekë e zyrës së kryeministrit, tanimë në largim, Ramush Haradinajt, më 16 nëntor të vitit 2017 kishte kushtuar 81 euro e 90 cent.

Në faturën e kësaj drekë të cilën e ka siguruar KALLXO.com, shihet të jetë konsumuar edhe rakia e dardhës.

Çmimi, siç është përshkuar në faturë, për një raki dardhe ishte 3 euro. Atë ditë ishin pirë tri raki dardhe.

Përveç alkoolit aty ishte shërbyer edhe mish. Mantia (porcion i madh) kushtonte 7 euro. Përveç matiave aty u shtrua edhe qofte e steak.

Krejt kjo drekë, nuk u la edhe pa ajvar. Dy ajvara kushtuan 4 euro e 20 cent.

E gjithë fatura e kësaj dreke kushtoi 81 euro e 90 cent.

KALLXO.com raporton në vazhdimësi për shpenzimin e parasë publike nga zyrtarët e lartë publikë.

Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike. KALLXO.com ka marrë faturat e shpenzimeve të drekave dhe darkave zyrtare të Kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave.

Qeveria që udhëheq Haradinaj është më e madhja për nga zëvendëskryeministrat,  ministrat, zëvendësministrat e këshilltarët.

“Haradinaj II” numëronte 5 zëvendëskryeministra, 21 ministra e rreth 80 zëvendësministra.

Që prej kur dha dorëheqje i pari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë kaluar gati katër muaj, ndërkohë në Kosovë janë mbajtur edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 6 tetor.

Gara e fundit elektorale nxori Lëvizjen Vetëvendosje si forcën më të madhe politike në vend. Kreu i kësaj partie, Albin Kurti pritët të jetë shefi i ri i ekzekutivit kosovar. Ai gjatë fushatës premtoi shkurtime të shpenzimeve publike.

Shishet e shampanjës për zyrën e Ramush Haradinajt kushtuan nga 50 euro

www.kallxo.com