Hajredin Kuçi shtron drekë me bakllavë, raki dardhe e raki rrushi

Një faturë e ish-Zëvendës Kryeministrit, Hajredin Kuçi, e cila është lëshuar më 29 dhjetor 2010 përmban raki dardhe, raki rrushi, biftek e ramstek.

Kjo drekë zyrtare i ka kushtuar arkës së shtetit 166 euro. Në të janë pirë 7 raki dardhe e rrushi, në vlerë 2 euro, janë ngrënë 8 biftekë e 2 ramstekë në vlerë 81 euro, 10 sallatë në vlerë 25 euro.

Po ashtu është pirë ujë e kafe në vlerë 22 euro e 50 cent, si dhe 7 bakllava 10 euro e 50 cent.

Kjo drekë zyrtare në fund vit është ngrënë në restorant ‘Liburnia’.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Hajredin Kuçi për këtë drekë por nuk ka marrë përgjigje.

KALLXO.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.