Gostia e Qeverisë Thaçi me suxhuk e raki dardhe

331 euro i kushtoi buxhetit të shtetit një drekë zyrtare e Zyrës së Kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçit në vitin 2011.

Rreth 40 euro ishin shpenzuar vetëm në suxhuk në drekën e 16 shkurtit të atij viti.

Në restaurantin ‘Tiffany’, zyrtarët  kishin porositur mish viçi, manti e supë.

Ndërkaq për pije ata kishin porositur gota me raki dardhe të quajtur ‘Viljamovka’ që në total kushtoi 39 euro.

Fatura zyrtare përfshinte edhe lang, kafe, starter, ujë mineral e të tjera.

KALLXO.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa Han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.