2500 euro i kushtoi Haradinajt darka e "Thanksgiving"

Zyra e Kryeministrit ka shpenzuar 2 mijë e 500 euro për pritjen e “Thanksgiving”.

Në faturat e siguruara nga KALLXO.com, nuk specifikohen ushqimet që janë ngrënë dhe as sa persona janë gostitur.

Kjo darkë është shtuar me 22 nëntor të 2017-ës.

Fatura është pranuar dhe nënshkruar nga shefi i kabinetit të kryeministrit Ramush Haradinaj.

KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike ka marrë faturat e shpenzimeve të drekave dhe darkave zyrtare të Kryeministrit dhe zëvendëskryeministrave.

Qeveria e Republikës së Kosovës, konkretisht Zyra e Kryeministrit, sot ka reaguar ndaj publikimeve të faturave në media.

Zyra e Kryeministrit ka apeluar te mediat që i publikojnë këto fatura, të mos ja etiketojnë shpenzimet kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, por të gjithë stafit të Qeverisë.

“Është e papranueshme që të manipulohet opinioni publik duke tentuar që kategorizimit “Dreka” t’i epët konotacion individual si shpenzim nga Kryeministri Haradinaj, përderisa në këtë kategori siç e cekëm më lartë, përfshihen njëkohësisht edhe të gjitha shpenzimet zyrtare të stafit, shpenzimet protokollare, ceremoniale për mysafirë dhe delegacione nga vendi dhe të huaja në emër të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e Zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu në reagim thuhet që të merret parasysh “dinamika e lartë e aktiviteteve shtetërore, të Institucionit të Kryeministrit dhe Kryeministrit Haradinaj në veçanti”.