Edita Tahiri udhëton me 'Business Class', bileta i kushton shtetit 4,480 euro

Ish- Zëvendës Kryeministrja, Edita Tahiri, në mars të vitit 2011 kishte udhëtuar për vizitë zyrtare në Washington.

Ky udhëtim i Edita Tahirit nuk ishte bërë dosido. Bileta e saj e avionit ishte paguar për ‘business class’ me vlerë prej 4 mijë e 480 euro.

Rezervimi i biletës ishte bërë dy ditë para udhëtimit. Ajo kishte udhëtuar me 3 mars 2011, ndërsa rezervimi ishte bërë më 1 mars.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Edita Tahiri për arsyet pse ajo ka udhëtuar me klasin e shtrenjtë e jo në ulëset e klasës ekonomike.

“Si duket e paskeni parë si të lehtë dhe të parrezikshme punën time si kryenegociatore në bisedimet me armikun, të ndermjetesuara nga BE dhe SHBA, prandaj po i beni keto pyetje. Vetem paramendojeni për disa momente çfarë don të thotë të negociosh paqen dhe mbylljen e kapitullit te armiqësive me shtetin fqinj që ka qenë agresor dhe gjenocid-bërës. Ose lexoni per historinë e negociatorëve të paqes për të parë pse u duhet një siguri shtesë për ta çuar misionin e paqes përpara për të krijuar një ardhmëri paqësore fqinjësore për gjeneratën e re”, ka thënë Tahiri.

Ajo kishte qëndruar atje për pak ditë, pasi më 6 mars ajo ishte kthyer në Prishtinë.

Me ‘business class’ kishte udhëtuar edhe ish kryeministri Hashim Thaçi së bashku me këshilltarin e tij në atë kohë, Bekim Çollakun, që kishin paguar për udhëtimin e tyre 11 mijë e 400 euro.

https://kallxo.com/dosja/udhetimi-me-bilete-businnes-class-i-thacit-ne-amerike/

KALLXO.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa Han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.