Dyshime se Ardian Gjini fsheh aksionet në biznesin e ndërtimeve

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini nuk ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion që është bashkëpronar i një kompanie.

Bëhet fjalë për biznesin “Velard”, i cili në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës figuron që Gjini është pronar i saj së bashku me Veli Hajdaragën. Ky i fundit akuzohet  për veprën penale mashtrim me subvencione, në këtë gjykim është i përfshirë si i akuzuar edhe Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Biznesi është regjistruar në vitin 2010 dhe personi i autorizuar është Hajdaraga, ndërsa aktiviteti i tij i deklaruar në ARBK është ndërtimi  i objekteve banesore dhe jobanesore si dhe tregtia me shumicë jo e specializuar.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Ardian Gjini ka treguar arsyet pse nuk e ka deklaruar këtë biznes.

“Ai biznes nuk ka qenë kurrë aktiv dhe është mbyllur ka vite. Në fakt nuk është aktivizuar kurrë dhe nuk ka operuar kurrë si biznes. Ka qenë një ide që nuk është realizuar e nisur para më shumë se 10 vite. Ka vite që kam dërguar kërkesën në ARBK për mbyllje”, thotë Gjini.

Mirëpo, nga ARBK thonë se Gjini nuk ka bërë asnjëherë kërkesë për mbyllje të biznesit dhe se është ende aktiv.

“Biznesi  VELARD OP me adresë të Biznesit në Prishtinë, Rr. Agim Ramadani Nr 5 është Biznes Aktiv. Ky Biznes është regjistruar me datë 09.03.2010 në ARBK. Pronar në këtë biznes janë:  Veli Hajdaraga si dhe Ardian Gjini. Ndërsa, person i autorizuar është Veli Hajdaraga. Sipas dokumenteve të skenuara në data bazë të ARBK-së ky Biznes nuk ka aplikuar ndonjë herë për shuarje (mbyllje)”, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar përsëri Gjinin për të pyetur në lidhje me datën se kur ka bërë kërkesë për shuarjen e biznesit, por ai nuk ka qenë i gatshëm që të japë përgjigje.

Ndërsa, mosdeklarimi apo deklarimi i rrejshëm i pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publik përbën vepër penale që sanksionohet me dispozitat e Kodit Penal (neni 437 Pikat 1 dhe 2).

KALLXO.com ka raportuar për pasurinë që ai e ka deklaruar në AKK.

Sa është i pasur Ardian Gjini?

.