Dukagjin Gorani për dy muaj porositi 277 kafe
Nënkryetari i Partisë Social Demokrate, Dukagjin Gorani dhe deputeti i kësaj partie Dukagjin Gorani që kishte shërbyer për një kohë si këshilltar i ish kryeministrit Hashim Thaçi vetëm për 2 muaj kishte porositur në byfenë e Qeverisë 277 kafe, përfshi këtu, makiato, espreso, nescafe e kapuqino.
Në janar të 2012 Gorani kishte porositur në byfenë e Qeverisë 81 kafe, ndërsa në maj të 2011 kishte porositur 196 kafe.
Fatura totale e shpenzimeve vetëm në pijë e Goranit për muajin maj të 2011 kishte qenë 77 euro e 70 cent, ndërsa fatura e janarit të 2012 kishte qenë 70 euro e 10 cent.
Gorani para se të kalonte në PSD, kishte qenë pjesë e Vetëvendosjes dhe ishte zgjedhur deputet nga kjo parti
Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.
Në dosjen prej qindra faturash të siguruara pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.
Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.
Në dosjen “Sa Han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.