Hashim Thaçi, president

Dreka e Hashim Thaçit me 'Peshkatriqe' e 'Amarone'

‘Amarone della Valpolocella’, njëra nga verërat më të zakonshme në vaktet e ish-Kryeministrit Hashim Thaçi, nuk mungoi edhe në drekën e 2 prillit të vitit 2011.

153 euro kishte kushtuar në total një drekë zyrtare e Kryeministrisë e shërbyer në restaurantin ‘Puro’, në kryeqytet.

Zyrtartët qeveritarë kishin bërë një selektim të ushqimeve të detit, të shoqëruara me pije alkoolike si verë dhe raki rrushi.

Një shishe verë ‘Amarone della Valpolocella’ (e shpeshtë në faturat e Thaçit) është faturuar në vlerë prej 90 euro.

Përveç kësaj, në drekë ishte porositur një tavë me ushqim deti e quajtur ‘Peshkatriqe’, në vlerë prej 15 euro.

Të tjerat përfshijnë ‘Orade-Merluc’, supë peshku, raki rrushi, kafe ekspresso e të tjera.

KALLXO.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa Han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.