Drejtori i KEK-ut me BMW

Njazi Thaçi, kushëriri i presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është zgjedhur drejtor menaxhues i KEK-ut në tetor të vitit të kaluar.

Në pozitën e të parit të KEK-ut, Thaçi në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar se pasuria e tij përfshinë tokë punuese, biznese, banesa, veturë dhe para të gatshme në bankë.

Vetura e vetme të cilën Thaçi e posedon është një veturë e tipit BMW X3,  të cilën Thaçi ka deklaruar se e ka blerë nga kursimet dhe shtija e veturës Audi A4 dhe paratë nga kursimet.

Për veturën e tij të vetme, Njazi Thaçi ka deklaruar se e njëjta është në emër të bashkëshortes së tij.

Në pasurinë të cilën e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion shihet se Thaçi ka pasuri të paluajtshme gjithsej 304 mijë e 400 euro.

Në pasurinë e tij të paluajtshme janë përfshirë tokë punuese e cila është e trashëguar, vlera e së cilës është 87 mijë euro, një lokal afarist në vlerë 47 mijë e 500 euro, një banesë e blerë nga kursimet familjare në vlerë 36 mijë euro, e cila është e regjistruar në emër të bashkëshortes së tij, dhe një banesë tjetër për të cilën ka bërë ndërrim me tokë, vlera e së cilës kap shifrën prej 133 mijë e 900 euro.

Në deklarimin e tij, kushëriri i presidentit të vendit ka bërë të ditur se posedon edhe 50 mijë e 612 euro para të gatshme në bankë, prej të cilave, 37 mijë e 371 janë në emër të tij, 6 mijë e 621 emër të bashkëshortes së tij dhe 19 mijë e 640 euro në emër të fëmijëve të tij,

Thaçi ka detyrim ndaj një banke para në vlerë prej 15 mijë euro, të cilët i kishe marrë për mobilim të banesës.

Tek të hyrat vjetore, Thaçi ka bërë të ditur se merr pagë vjetore nga Koorporata Energjetike e Kosovës 34 mijë e 565 euro. Ndërsa bashkëshortja e Thaçit merr pagë vjetore në RTK 6 mijë e 619 euro dhe 1 mijë e 400 euro nga qiraja e një banese, ku gjithsej të hyrat arrijnë vlerën rreth 8 mijë euro.