Kolonel Taibe Canolli, Foto: Facebook

Drejtoresha e shërbimeve njerëzore në polici, mori avanc mbi 3 mijë euro për udhëtimet në SHBA

Drejtoresha e Departamentit të Shërbimeve Njerëzore, në Policinë e Kosovës, Taibe Canolli ka deklaruar se pasuria e saj e paluajtshme kap vlerën e 105 mijë eurove.

Në emër të saj është e regjistruar një tokë në vlerë të 15 mijë eurove ndërsa një banesë 124 metra katror në vlerë të 90 mijë eurove e ka deklaruar si të përbashkët.

Të dy këto pasuri të paluajtshme sipas deklarimit janë blerë me kredi.

Canolli ka deklaruar se në emër të bashkëshortit është e regjistruar një veturë Golf 6 në vlerë të 21 mijë eurove.

Gjithashtu në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Canolli ka deklaruar se bashkëshorti ka 100 përqind të aksioneve në një firmë “Colonia” por nuk e ka treguar vlerën e firmës.

Canolli mban para të gatshme në vlerë të 8 mijë e 309 eurove. Nga kjo shifër vetëm 1 mijë e 776 janë të deklaruar në emër të fëmijëve.

Përveç pasurisë së paluajtshme dhe asaj të luajtshme, Canolli ka deklaruar se së bashku me bashkëshortin kanë kredi në vlerë të 76 mijë e 294 eurove.

Të hyrat vjetore të Canollit në Policinë e Kosovës janë 18 mijë e 479 euro ose për muaj 1 mijë e 539 euro.

Gjithashtu ajo ka deklaruar edhe se ka marrë meditje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vlerë të 812 eurove, meditje të tjera në vlerë të 39 eurove si dhe avanc për akomodim e ushqim në SHBA në vlerë të 3 mijë e 650 eurove.

Të hyrat nga biznesi i ka deklaruar 18 mijë euro në emër të bashkëshortit.