Dosja ‘Pronto’: Si i dështoi montimi i zgjedhjes së kryeshefit të Agjencisë për Produkte Medicinale?

Më shumë se 5 muaj nga koha kur u ngrit aktakuza 85 faqëshe në rastin e aferës së përgjimeve ‘Pronto’, është caktuar data e gjykimit të këtij rasti ku 11 persona akuzohen se kanë shkelur të drejtën e statusit të barabartë të banorëve të Republikës së Kosovës.

Një hetim i nisur nga EULEX-i ndaj ish- deputetit të PDK-së, Adem Grabovci, për kohën sa ai ishte zëvendës ministër në vitet 2008-2010 përfundoi me mbylljen e hetimeve ndaj tij në vitin 2014. Megjithatë, përgjimet e siguruara gjatë këtij hetimi shërbyen për nisjen e një hetimi të ri pasi rrodhën në media dhe shërbyen për nisjen e një hetimit të ri që përfundoi me ngritjen e aktakuzës që në bazë të përshëndetjes italiane morri edhe emrin si rasti “Pronto”.

KALLXO.com sjell detajet e aktakuzës që për më shumë se 5 muaj u mbajt dhe po mbahet larg syve të publikut nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Adem Grabovci, ish deputet, Arbenita Pajaziti shefe e njësisë për furnizim në Departamentin e farmacisë në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilhami Gashi – ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Besim Beqaj- aktualisht ministër, Nijazi Kryeziu ish kryesues i Kuvendit Komunal të Prizrenit, Zenun Pajaziti- ministër, Fatmir Shurdhaj – ish-zëvendës ministër, Sadat Gashi ish këshilltar politik në MPB, Ismet Neziraj – ish drejtor në ndërmarrjen publike “Radoniqi”, Xhavit Dakaj ish sekretar në MASHT si dhe Rexhë Abazi – ish drejtor i Bordit të kompanisë Hidrodrini në Pejë janë të akuzuarit e rastit të njohur si ‘Pronto’.

Protagonistë të dispozitivit të parë të aktakuzës së ‘Pronto’-s janë Adem Grabovci, Arbenita Pajaziti dhe Xhavit Dakaj.

Aktakuza përshkruan  se si kishte kishin dështuar tre të akuzuarit që të caktojnë të akuzuarën Arbenita Pajaziti në pozitën e Kryeshefit  Ekzekutiv në Agjencinë për Produkte Medicinale.

“Në periudhën 6 – 20 dhjetor 2011 në Prishtinë në kundërshtim me Ligjin për Shërbimin Civil dhe Rregulloren për procedurat e emërimit në pozitat e larta drejtuese sipas marrëveshjes paraprake kanë tentuar krijimin e privilegjeve dhe përparësive për të pandehurën Arbenita (Pajaziti) ashtu që përmes bisedave telefonike kanë bashkëpunuar për caktimin e anëtarëve të Komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve”, pretendohet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Më tej aktakuza pretendon se i akuzuari Adem Grabovci si dhe Xhavit Dakaj që njëherit ishte edhe anëtar i Komisionit vlerësimin e kritereve për përzgjedhjen e kandidatëve në konkursin e lartpërmendur, kanë tentuar krijimin e privilegjeve dhe përparësive për punësimin e të akuzuarës Arbenita Pajaziti.

“Më datë 14 dhjetor 2011 përmes bisedës telefonike kanë bashkëpunuar mbi përbërjen e Komisionit për përzgjedhjen e Kryeshefit të Agjencisë për Produkte Medicinale si dhe cila duhet të jetë radhitja definitive e kandidatëve duke përcaktuar që Arbenita Pajaziti të jetë e para”, thuhet në aktakuzë.

Ky synim i të akuzuarve, sipas aktakuzës, kishte mbetur në tentativë pasi që në atë pozitë ishte caktuar një kandidat tjetër, Ilir Dushi.

Prokurorja Drita Hajdari si prova në lidhje me këtë rast ka renditur disa dokumente duke filluar nga shpallja e konkursit, lista e kandidatëve që kishin konkurruar pastaj vendimi me të cilin ishte formuar komisioni për vlerësimin e kritereve, raporti i komisionit për vlerësimin e kritereve me kandidatët që janë vlerësuar dhe pikët e tyre dhe krejt në fund shkresën e dërguar nga Ministria e Shëndetësisë me rekomandimin dhe pastaj edhe vendimin e kryeministrit Thaçi për emërimin e Ilir Dushit si Kryeshef Ekzekutiv në Agjencinë Kosovare të për Produkte Medicinale.

Në lidhje me këto pretendime përderisa i akuzuari Adem Grabovci më 14 shtator 2016 dhe 26 maj 2017 ka zgjedhur të mos deklarohet dhe ta shfrytëzojë të drejtën e tij për heshtje, evidenton aktakuza.

Ndryshe nga Grabovci, e akuzuara Arbenita Pajaziti ka deklaruar në mbrojtjen e saj të dhënë më 9 nëntor 2016 se nuk ka qenë person zyrtar respektivisht se nga muaji qershor 2011 deri më prill 2014 nuk ka punuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe nuk ka marrë pagë.

Edhe i akuzuari tjetër në lidhje me këtë pikë të akuzës, Xhavit Dakaj në mbrojtjen e tij të dhënë në prokurori ka deklaruar se i kujtohet se Adem Grabovci i kishte kërkuar nga ai që ta mbështes një kandidat dhe se do të takoheshin me Ilhami Gashin.

“Pozita ka qenë në një institucion të nivelit të lartë mirëpo se cila pozitë ishte nuk i kujtohet. Ka deklaruar se kandidati ka qenë i gjinisë femërore por nuk e din se për cilën kandidate bëhet fjalë”, përshkruhet në aktakuzë mbrojtja e Xhavit Dakës.

Megjithatë, Dakaj në mbrojtjen e tij deklaron se vlerësimi i kandidatëve është bërë në mënyrë objektive dhe se ishte zgjedhur kandidati i duhur pavarësisht kërkesës së Adem Grabovcit.

KALLXO.com do të publikojë ditëve në vijim detaje nga pretendimet e Prokurorisë në rastin e njohur si Pronto.

Ditë më parë KALLXO.com ekskluzivisht raportoi për caktimin e datës së seancës fillestare në këtë gjykim pas më shumë se 5 muaj pasi që ishte ngritur aktakuza.

Gjyqtari Shashivar Hoti që do ta gjykojë këtë lëndë, fillimisht kishte vlerësuar se kjo lëndë duhej të gjykohej në departamentin e përgjithshëm mirëpo pas ankesës së Prokurorisë, Gjykata e Apelit listoi një varg arsyesh se pse vendimi i gjyqtarit Hoti ishte i pabazuar dhe vendosi që kjo lëndë të gjykohej në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Seanca e parë në këtë rast do të mbahet më 1 tetor.