Dosja: Komunarët e Suharekës pinë verë me para të shtetit

“Varësia” e zyrtarëve shtetërorë për të pirë alkool me para të buxhetit të shtetit i ka kapur edhe zyrtarët e komunës së Suharekës.

Në faturat të cilat i posedon KALLXO.com, zyrtarët e kësaj komuna nuk kanë ngurruar që t’i shpenzojnë paratë e buxhetit të Komunës për të pirë shishe verërash të ndryshme.

Në drekën zyrtare të shtruar me 17 korrik të vitit të kaluar, zyrtarët e Komunës së Suharekës kishin pirë 3 shishe verë, secila ndryshe nga tjetra.

Rose, Pinotblance dhe Sauvignoblanc janë llojet e verërave që janë pirë në këtë drekë.

Kjo drekë i kishte kushtuar komunës së Suharekës në total 64 euro.

Përveç verërave, komunarët kishin ngrënë edhe 4 pica vegjetarianë. Mirëpo edhe pse picat ishin porositur pa mish, në po të njëjtën faturë figuron se me para të komunës është ngrënë edhe mish sallame.

Kryetar i Komunës së Suharekës është Bali Muharremaj i AAK-së.

KALLXO.com ka filluar publikimin e dosjes “Sa Han Kryetari”, ku do të bëhen publike faturat e drekave dhe darkave zyrtare të kryetarëve dhe zyrtarëve tjerë të komunave të Kosovës.

Fatura e drekes se Komunes se Suharekes Foto: KALLXO.com

Ky projekt mbështetet nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS. Përmbajtja është përgjegjësi e BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i KFOS-it.