Darka mbi 1 mijë euroshe e Thaçit me bakllavë e 'Chardoney'

Pjesëtarët e ish-qeverisë Thaçi ishin gostitur në një darkë jo të lirë natën e 14 qershorit të vitit 2011.

Restauranti ‘Ambient’, në Prizren kishte pritur një delegacion qeveritar për të shërbyer një darkë që kushtoi 1 mijë e 6 euro.

Fatura zyrtare figuron se është lëshuar në orën 00: 48, megjithëse qeveria e cilëson si ‘drekë zyrtare’.

Në këtë darkë, zyrtarët kishin porositur ndër tjerash bakllavë dhe deserte të tjera që në total kushtuan mbi 60 euro.

Nga llojet e alkooleve në këtë faturë figuron ‘Chardoney Mali i zi’ dhe verë vendore ‘Stone Castle’.

Aty ishin porositur edhe mish viçi, pule, peshk e sallata të ndryshme.

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruara pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do të publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzime.