Darka e Behgjet Pacollit ku u paguan mijëra euro verë, shampanjë, birra...

3 mijë e 430 euro i kishte shpenzuar Qeveria për banketin e organizuar nga Behgjet Pacolli për nder të ish Presidentit kroat, Stipe Mesiq.

Por, çfarë kishin ngrënë e kishin pirë, Mesiq me delegacionin e tij e burrështetasit kosovarë në krye me Pacollin në ndejën e korrikut të vitit 2011?

Fiks 1 mijë euro, 500 euro vera të bardha e 500 euro vera të kuqe, janë faturuar nga restorant “Gizi” e janë paguar me paratë e shtetit.

Për birra thuhet se janë shpenzuar 250 euro, ndërsa për shampanjë e ‘fresh portokalli’ nga 125 euro.

Thuhet se për ‘pije’- e që nuk specifikohet se çfarë pijesh- janë shpenzuar 300 euro.

Ndërsa për peshk janë shpenzuar 258 euro, e për pjata ‘Gizi’ 357 euro.

Gjithashtu mysafirët kanë ngrënë djath në vlerë 240 euro e paragjella në vlerë 300 euro. Kanë pirë ujë 125 euro e kanë ngrënë edhe pica në vlerë 90 euro.

Veç krejt këtyre, ata kanë pirë edhe siç shkruhet në faturë ‘coctela’ në total prej 240 eurosh.

Kjo faturë që në total i ka kushtuar shtetit 3 mijë e 430 euro nuk ka të bashkangjitur faturë fiskale e as njësi se sa copë janë ngrënë a pirë për secilin produkt. Përmban vetëm datën 21 korrik 2011 dhe përshkrimet me totalet për secilën.

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruar pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.

Behgjet Pacolli paguan drekë në hotelin e tij, nga kuleta e shtetit

Dreka e Hajredin Kuçit me verëra italiane e spanjolle e shoqëruar me karkaleca deti

Hashim Thaçi pi verë që kushton 120 euro

Dreka e Hashim Thaçit ku piu 10 litra verë italiane me vlerë 500 euro