Bodigardët e Hashim Thaçit pinë qindra kafe

Sigurimi i ish Kryeministrit Hashim Thaçi vetëm për 3 muaj kishte porositur rreth 2 mijë kafe në byfenë e Qeverisë së Kosovës.

Faturat e muajit Maj 2011, Korrik 2011 dhe Janar 2012 tregojnë se sigurimi i Hashim Thaçit kishte porositur 1 mijë e 957 produkte të kafesë.

Këto kafe i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 581 euro.

Në maj të 2011, sigurimi kishte porositur 701 kafe toal. Ndërsa në Korrik të 2011 kishin porositur 429 kafe.

Kurse në janar të 2012 nga sigurimi i kryeministrit ishin porositur në total 827 kafe.

Në bifenë e kryeministrisë produktet e kafes e kanë çmimin 0.30 euro.

Kallxo.com ka nisur publikimin e faturave të shpenzimeve të Presidentit Hashim Thaçi në kohën kur ai ishte kryeministër i vendit.

Në dosjen prej qindra faturash të siguruara pasi BIRN ka paditur Zyrën e Kryeministrit në gjykatë, do publikohen fatura të shpenzimeve për 20 muaj qeverisje të Hashim Thaçit përfshirë këtu shpenzimet e 5 zëvendëskryeministrave tjerë të asaj kohe: Bujar Bukoshi, Edita Tahiri, Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli.

Pjesë e faturave janë edhe shpenzimet e kryera nga këshilltarë e shefa të kabineteve e deri te bodigardët e qeveritarëve të lartë.

Në dosjen “Sa Han Shefi” e cila tashmë është aktive në KALLXO.com, çdo ditë do publikohen fatura të reja të shpenzimeve të shoqëruara me shkrime dhe dëshmi për shpenzimet.