Blerim Kuqi, AAK.

Bizneset milionëshe të deputetit të AAK-së

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së dhe nënkryetari i AAK-së, Blerim Kuçi ka deklaruar se posedon aksione në dy biznese, kapitali i të cilave së bashku kap vlerën rreth 2 milionë euro.

NPN “Hidroterm”, në të cilën Kuçi posedon 100 për qind të aksioneve vlerësohet të ketë kapital 782 mijë euro. Kurse biznesi tjetër, “Hidroterm BK” Doo, në të cilin po ashtu Kuçi është pronar i 100 për qind të aksioneve, ka kapital mbi 1 milionë e 75 mijë euro.

Kuçi gjithashtu ka deklaruar pasuri të paluajtshme në vlerë 1 milionë e 178 mijë e 800.

Në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion për vitin 2019, Kuçi ka deklaruar se është pronar i 7 pronave të paluajtshme, ku hyjnë troje, lokale, shtëpi e banesa.

Përveç pasurisë së paluajtshme, Kuçi ka deklaruar edhe pronësinë e dy veturave në AKK. Vetura e markës “Mercedes” është deklaruar se ka vlerën 65 mijë euro dhe është përfituar nga aktiviteti biznesor.

Vetura tjetër e markës “BMW”, është deklaruar në pronësi të fëmijëve të Kuçit. Ajo është vlerësuar me 25 mijë euro.

Sa i përket parave të gatshme, Kuçi ka deklaruar se nëpër bankat e Kosovës mban rreth 4 mijë euro të cilat i takojnë atij, bashkëshortes dhe fëmijëve.

Në AKK, Kuçi ka deklaruar të hyrat vjetore të tij, bashkëshortes, fëmijëve, prindit dhe njerkës së tij. Të hyrat vjetore të Kuçit kapin vlerën 54 mijë. Këto të hyra vijnë nga pozita e tij si deputet i Kuvendit të Kosovës, nga të hyrat e biznesit NPN “Hidroterm” dhe nga boznesi tjetër “Hodroterm BK” Doo.

Të hyrat vjetore të bashkëshortes së tij janë në vlerën 14 mijë e 400 euro, të hyrat e fëmijëve të tij Kuçi ka deklaruar se vijnë nga biznesi NPN “Hidroterm” dhe janë në vlerën 9 mijë euro.

Pensionet e prindit dhe njerkës së Kuçit kapin vlerën 1 mijë e 700 euro, sipas formularit për deklarimin e pasurisë.